Lajmet e fundit

Cana: Do ta bëjmë realitet ëndrrën e shqiptarëve

Ishte ndër ata lojtarë që e shfaqën edhe në deklaratat e tyre trishtimin pas disfatës me Serbinë. Kapiteni i Kombëtares tregoi që pas sfidës së të enjtes se Shqipëria nuk është dorëzuar. Ditën e djeshme, Lorik Cana e ka përsëritur këtë gjë edhe në konferencën për shtyp, një ditë përpara ndeshjes. Duke shoqëruar trajnerin De Biazi, mbrojtësi i Nantës ka besim të plotë se në këtë ndeshje, Shqipëria do të lërë gjithçka pas krahëve dhe do të marrë atë që i duhet, maksimumin. “Nesër (sot) është një ndeshje në të cilën ne do të përpiqemi që të bëjmë realitet një ëndërr të madhe.

Nuk është vetëm ëndrra ime, por e të gjithë shqiptarëve që presin të shohin Shqipërinë që të marrë pjesë në një kompeticion të madh. Kam besim që do të marrim maksimumin në këtë ndeshje, pavar- ësisht se e dimë që do të jetë një takim shumë i vështirë”, ka deklaruar fillimisht Lorik Cana. Kapiteni i kuqezinjve ka besim se skuadra do të arrijë që të tregojë veten në një 90- minutësh të vetëm. Pavarësisht se ekipi vjen pas një humbjeje në ndeshjen e fundit me Serbinë, sipas Canës ajo gjë është harruar dhe tashmë ekipi është fokusuar vetëm në sfidën e fundit të fazës së grupeve në Grupin I të kualifikueseve për në “Francë 2016″

. “Nuk kemi asnjë mundësi tjetër veç fitores. Vijmë për tri pikët dhe jemi të fokusuar maksimalisht në këtë takim. Duam që nga kjo ndeshje të dalim të kualifikuar”, është shprehur Cana. Mbrojtësi i kuqezinjve ka vijuar fjalën e tij, duke treguar se kuqezinjtë duan që të mbyllin çështjen e kualifikimit nëpërmjet ndeshjeve që kanë në kalendar, pa përdorur dy ndeshjet në fazën “play off”.

“Duam që të evitojmë ato dy ndeshje. Është diçka për të cilën ne nuk kemi shkuar ndonjëherë në atë fazë, por, përderisa kemi shansin që të mbyllim kualifikimin në sfidën e fundit, duhet ta bëjmë këtë gjë”, ka deklaruar mbrojtësi. Cana ka shtuar se ndeshja e fundit ka lënë një shije të hidhur. Megjithatë, kapiteni garanton se ajo që ka ndodhur jo vetëm që është harruar dhe është lënë pas, por ka qenë një ndeshje, e cila u ka shërbyer kuqezinjve për të nxjerrë prej saj shënime që mund të përdoren në këtë takim final të edicionit të kualifikueseve. “Humbja kundër Serbisë na ka bërë edhe më të fortë.

Mund të them se ka qenë një ndeshje nga e cila kemi mësuar shumë dhe që do të mundohemi që ta vendosim në shërbim të takimit që kemi për të luajtur në Armeni. Mund të them se tashmë kualifikimi është diçka, të cilën e kemi vetë në dorë dhe do të bëjmë maksimumin për ta arritur”, ka përfunduar Lorik Cana. Kapiteni ka treguar gjithmonë se ruan optimizëm për ndeshjen pasardhëse, pavarësisht se çfarë ndodh në fushë në ndeshjen që u kalua. Duke qenë se Shqipëria është vetëm 90 minuta larg kualifikimit historik, atëherë fjalët e kapitenit duket se janë edhe opinioni i përgjithshëm i kuqezinjve përpara një side sa delikate, aq edhe të domosdoshme për ëndrrën e madhe, shkruan PanoramaSport.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.