Lorik Cana ka thënë se fitorja në ndeshjen ndaj Armenisë është opsioni i vetëm, për t’u ikur ndeshjeve të Play Off-it.
Cana ka theksuar se humbja ndaj Serbisë i ka bërë më të fortë, andaj ata kanë shkuar në Armeni për t’i marrë tri pikë dhe për te dalë të kualifikuar nga kjo ndeshje, transmeton Panorama Sport.
“Nuk kemi asnjë mundësi tjetër veç fitores. Vijmë për tri pikët dhe jemi të fokusuar maksimalisht në këtë takim. Duam që nga kjo ndeshje të dalim të kualifikuar”, është shprehur Cana.
“Duam që të evitojmë ato dy ndeshje. Është diçka për të cilën ne nuk kemi shkuar ndonjëherë në atë fazë, por, përderisa kemi shansin që të mbyllim kualifikimin në sfidën e fundit, duhet ta bëjmë këtë gjë”, ka deklaruar mbrojtësi.
“Humbja kundër Serbisë na ka bërë edhe më të fortë. Mund të them se ka qenë një ndeshje nga e cila kemi mësuar shumë dhe që do të mundohemi që ta vendosim në shërbim të takimit që kemi për të luajtur në Armeni. Mund të them se tashmë kualifikimi është diçka, të cilën e kemi vetë në dorë dhe do të bëjmë maksimumin për ta arritur”, ka përfunduar kapiteni.