Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, në një lidhje direkte në Info Magazine ka komentuar vendimin e Presidentes Atifete Jahjaga për të ndërhyrë në zgjidhjen e krizës politike në vend.
Çaushi ka thënë se vendimi i Jahjagës nuk ka kurrfarë kuptimi pasi Qeveria ka treguar se nuk ka vullnet për marrëveshje, njofton Klan Kosova.
“Besoj që secili qytetar i Kosovës, i informuar mjaftueshëm për rrjedhën e ngjarjeve, e ka të qartë që marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel janë të dëmshme për Kosovën”.
“Dhe, në raport me këtë gjë reagimet tona kanë qenë normale”.
“Prandaj, nuk e di se çfarë kuptimi ka organizimi i një tryeze për dialog mes partive politike”.
“E vetmja gjë që ka kuptim është gatishmëria për t’u tërhequr nga këto marrëveshje, përkundër faktit që ata vazhdimisht e kundërshtojnë një gjë të tillë”.
“Do të ishte e pakuptimtë nëse marrim për bazë prononcimin e Isa Mustafës që sot tha se “gjithçka është e kryer””.
“Pa interesim të qartë për t’u tërhequr nga nënshkrimet nuk e kuptoj se si mund të organizohet diçka e tillë”.