Lajmet e fundit
Çeku përkthen programin në gjuhën e shenjave për të verbërit

Çeku përkthen programin në gjuhën e shenjave për të verbërit

Kandidati i PDK-së për kryetar të komunës së Prishtinës, Agim Çeku, sot ka vizituar Shoqatën e të Verbërve në Prishtinë, të cilëve iu ka premtuar se do ta kenë mbështetjen e tij të pakursyer, kur ai të vijë në krye të komunës. Ai fillimisht të verbërve ua dorëzoi edhe programin e tij për Prishtinën, të përkthyer në gjuhën e shenjave, që edhe ata të kenë mundësinë ta lexojnë atë.

Kandidati Çeku me këtë rast ka deklaruar se ai dhe PDK-ja, kanë një shkallë të lartë të ndjeshmërisë për personat në nevojë dhe se ka shkuar t’i takojë, jo vetëm për t’ua kërkuar votën, por edhe për t’iu ofruar mbështetje. Ai ka thënë se ka përparësi në raport me qeverisjen aktuale të komunës, pasi e ka mundësinë që t’i koordinojë punët më mirë me qeverinë qendrore, për t’iu ndihmuar sa më shumë kësaj kategorie të qytetarëve.

Çeku ka premtuar se pjesë e punës së tij, do të jetë edhe gjetja e mundësive, për vende pune për këtë kategori të personave në nevojë. “Zyra ime si kryetar komune do të jetë e hapur për të gjithë qytetarët, por veçanërisht për ju. Do t’i stimulojmë ato organizata, në të cilat ju do të mund të ofroni kontributin tuaj me punë”, tha Çeku.

Edhe drejtuesit e kësaj shoqate kanë falënderuar Çekun për ofrimin e mbështetjes. Ata thanë se i besojnë Çekut, pasi këtë ua ka dëshmuar edhe në kohën kur ai ka qenë kryeministër. Kryetari i kësaj shoqate, ka bërë të ditur se në kohën kur FMN kishte kërkuar shkurtimin e vendeve të punës, Çeku si kryeministër kishte nxjerrë një vendim, që në këtë shkurtim të vendeve të punës të mos përfshihen edhe personat me nevoja të veçanta.

Leave a Reply

Your email address will not be published.