Lajmet e fundit

Çelaj: Liburn Aliu është më i fuqishëm se Shpendi në Komunën e Prishtinës

Kryetari i PDK’së në Prishtinë, njëherësh pjesë e Kuvendit Komunal të Prishtinës, Lirak Çelaj ka thënë se nuk do të tërhiqen nga kërkesa për shkarkim të Liburn Aliut nga posti i drejtorit të Urbanizmit të Prishtinës.

I ftuar në emisionin “038” të KTV’së, ai tha se Ahmeti nuk ka guxim ta shkarkojë Aliun, sepse ai ka më shumë ndikim në Vetëvendosje.

“Ne e dimë që Liburn Aliu është më i fuqishëm se Shpend Ahmeti në Vetëvendosje. Prandaj ai nuk ka guxim ta shkarkojë Liburn Aliun. Ne nuk po e dimë se kush po drejton Komunën e Prishtinës, Liburni apo Shpendi”, tha Çelaj.

Kërkesa për shkarkim të Aliut, sipas Çelajt, ka ardhur pasi ai ka sulmuar fizikisht një asambleist të PDK’së.

Çelaj ka tërhequr paralele mes rastit të ish ministrit të Listës Serbe, Aleksandar Jabllanovic dhe atij të Liburn Aliut. Çelaj ka thënë se krahasimin nuk po e bën si persona, por si raste.

“Ne e dimë dhe të gjithë jemi pajtuar se Jabllanovici ka fyer nënat gjakovare dhe të gjithë shqiptarët, dhe prandaj u shkarkua. Por edhe Aliu ka fyer fjalën e lirë. Ai ka sulmuar asamblistin vetëm për atë që ka thënë në Kuvend. Nesër mund të më sulmojë mua, apo kë do tjetër, sepse ajo nuk ka qenë hera e parë e shprehjes së agresivitetit nga ana e Liburn Aliut”, ka thënë Çelaj.

Ai më pas tha se punimet në rrugën “Garibaldi” nuk kanë qenë të nevojshme në këtë kohë.

“Nuk është dashtë të punohet aty, asfalti që ka qenë i shtruar aty, ka qenë më i mirë se kubëzat, kështu që është dashur të investohet diku tjetër. Edhe ashtu aty nuk ka kurrfarë ideje apo zgjidhje të re”, tha Çelaj, duke numëruar edhe disa projekte që nuk janë plotësuar.

Çelaj vuri dyshime mbi korrupsion, duke u mbështetur tek udhëtimi drejt Tajvanit nga Dardan Sejdiu, i cili është pjesë e komisionit të tenderëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.