Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratikë të Kosovës në komunën e Prishtinës, Lirak Çelaj, i ftuar në emisionin “Kontakt” ka thënë se bllokada në Kuvendin Komunal të Prishtinës po vjen nga kryetari Shpend Ahmeti.
“Dallimi mes bllokadave të Kuvendeve është se Kuvendin Komunal po e bllokon pozita në krye me Shpend Ahmetin, kurse Kuvendin e Kosovës po e bllokon opozita. Pra, këtu është dallimi esencial”, është shprehur Çelaj. “Arsyeja pse Shpend Ahmeti po e bllokon punën në Kuvendin Komunal vjen për shkak të dështimeve të tij në punë dhe se ato po mundohet t’i atribuoj dikujt tjetër”.
Çelaj gjithashtu ka thënë se kryetari Ahmeti nuk është duke punuar far në projekte por, sipas tij, ai vetëm është duke u ankuar për pushtetin e kaluar.
“Nuk mund ta dëgjoni kurrë Shpend Ahmetin duke folur për ndonjë projekt që është duke bërë apo do ta realizojë, mirëpo ai vazhdimisht rri duke u ankuar për pushtetin e kaluar, kinse nuk kanë punuar. Pra, mos punën e tij ai mundohet ta atribuojë dikujt tjetër. mirëpo, kur je në krye të një institucioni kaq të rëndësishëm, siç është Komuna e Prishtinës, duhet të punohet e jo të ankohet”, ka deklaruar Çelaj në “Kontakt”.
Ai ka folur edhe për projektet në Komunën e Prishtinës, teksa thekson se nuk do ta përkrahin asnjë projekt derisa të tërhiqet drejtori i Urbanizmit, Liburn Aliu.
“Nëse shkarkohet Drejtori Librun Aliu, gjendja do t’i kthehet normalitetit. Ne jemi treguar shumë tolerantë. Përkundër kësaj ne edhe jemi munduar me gjet zgjidhje në vendimin e tij. Ai asnjëherë nuk ka kërkuar falje vetëm arrogancë”, ka thënë ai “Ne e kemi të qartë qëndrimin tonë: derisa projektet të udhëhiqen nga drejtori i Urbanizmit, Liburn Aliu, ne nuk do të përkrahim asnjë projekt në shenjë pakënaqësie. Unë mendoj që kjo është një revoltë demokratike”, tha Çelaj.