Lajmet e fundit

Ç’është ISIS-i, ç’po ndodh në Siri dhe kush i çoi shqiptarët atje

Një intervistë e shkëlqyer e Gerta Zajmit për organizatën që po terrorizon botën, për të cilën ajo thotë se po manipulon me fenë islame. Studiuesja e marrëdhënieve ndërkombëtare në Lindjen e Mesme flet edhe për atë se nga doli ISIS, si u faktorizua, çfarë po tenton të bëjë dhe çfarë synimesh ka.

Pas intervistës së parë që dha në Zona B të Klan Kosovës, Zajmi flet edhe për “Te Sheshi” në lidhje rreth shumë paqartësive të tjera që kanë të bëjë me konfliktin në Siri, rolin e Iranit, Perëndimit, Turqisë, Rusisë etj. Ajo gjithashtu flet edhe për shkaqet që çuan drejt rendjes së shumë myslimanëve për të luftuar në ato fronte, përfshirë shqiptarët, ku disa përfunduan dhe si ekstremistë të dhunshëm në radhët e ISIS.

Një nga temat kryesore në mbarë botën është lufta anti-ISIS. Çfarë është ISIS të vërtetë?

ISIS është një pasardhës i Al Kaedës në Irak. Është formuar në vitin 2006 me emrin ISI (Islamic State of Iraq), duke e bërë në 2013 DAESH (akronimi në gjuhën arabe)  ose ISIS (Islamic State in Iraq and Syria) ose ISIL (Islamic State in Iraq and Levant); dhe në 2014 vetëm IS (Islamic State). Pasi Al-Zarkaui, lideri i AQI-t (Al Kaeda në Irak) u vra në qershor të vitit 2006, organizata u shkri në disa fraksione dhe njëri prej tyre qe Al Daëlah al Iraq al Islamiyah, i njohur edhe si Shteti Islamik i Irakut (ISI) i kryesuar nga Abu Omar al-Bagdadi dhe Abu Ajub al Masri. Ky i fundit u vra në një operacion të përbashkët SHBA-Irak në prill të vitit 2010, e u pasua nga Abu Bakr al Baghdadi. Kjo përsa i përket prezantimit fillestar.

Si e gjykoj unë çfarë është ISIS? ISIS është një organizatë terroriste, një ushtri e militantëve, jo një parti politike. ISIS është një lëvizje e globalizuar ndërkombëtare së cilës i mungojnë rrënjë të thella në shoqërinë lokale dhe ka një projekt që kërkon shembjen e kufijve të shtet-kombit (kjo ndodh për herë të parë që në momentin e krijimit të tyre nga rrënimi i Perandorisë Osmane. Asnjëherë dhe askush nuk ka kërkuar më parë ndryshimin e kufijve të shteteve në rajon, me përjashtim të kurdëve the Izraelit).

ISIS nuk është një lëvizje shoqërore e përmasave revolucionare, madje do të thosha që është kundërrevolucionare sepse i referohet kthimit të shoqërisë si në dy shekujt e parë të Islamit; nuk ka një projekt të ndërtimit të shoqërisë “civile” me përjashtim të një referencë ndaj Sheriatit sipas mendimit të tij.

ISIS është një fenomen i bazuar në ekstremizëm dhe ideologji totalitare. Nuk mund të them që ISIS është një organizatë politike efikase edhe pse ka arritur të bëjë një administrim në zonat nën kontrollin e tij. Mos harrojmë që ky administrim bëhet në mënyrë të dhunshme dhe totalitare dhe kjo është e vetmja mënyrë si ai mund ta mbajë. ISIS në territorin e tij ka të ardhura prej disa miliardë dollarësh në vit, një forcë prej rreth 31 mijë vullnetarësh të rinj nga e gjithë bota (31 mijë është numri që jep CIA dhe 40 mijë është numri që japin burimet e ISIS-is) dhe një aparat propagande që Al Kaeda nuk e ka patur kurrë. Ndryshe nga Al Kaeda, ISIS-is synon të zgjerojë territorin e tij sipas idesë së Kalifatit dhe nuk pretendon të ketë kufij. Ky synim për mendimin tim, e ka kaluar pikën e tij kulminante me fundin e 2014. Aktualisht ISIS ka humbur rreth 15% të territorit që kishte nën kontroll deri një vit më parë, dhe është i rrethuar nga situata të cilat nuk do të mund t’i kalojë më tutje.

Aktualisht është brenda territoreve sunite që për arsye të ndryshme shohin ISIS-in si alternativën e mundshme mbrojtëse të tyre. Po të shohim në veri ka kurdët, në lindje shiitët irakianë, në perëndim alauitët të ndihmuar nga bombat ruse, në jug libanezët me Hezbollah.

Përballë kësaj situate, është e qartë që ISIS e ndjen veten të dobësuar dhe përballë dobësimit do përdorë terrorin ndërkombëtar që tejkalon territoret e kontrolluara prej tij. Bombat e sulmi në Bejrut, Ankara, Egjipt, Paris kishin qëllim të ruanin efektin terrorist. Terrorizmi është arma e të dobëtit.

Cilat mendoni se janë qëllimet fundamentale të ISIS-it. Si e shohin vendet perëndimore dhe si e shohin vendet e lindjes?

Në numrin e nëntorit të Dabiq, revista on-line e ISIS, organizata përcakton dy qëllime kryesore të cilat ajo etiketon si “opcione”. I pari është për të përhapur një kalifat totalitar në të gjithë rajonin dhe, së fundi, në botë. I dyti është që të polarizojë myslimanët kundër njëri-tjetrit, që të nxisin ndarjet e brendshme brenda Perëndimit, dhe për të çuar Perëndimin në luftë kundër Islamit. Sipas tyre kjo do çojë Perëndimin drejt një sulmi në terren, duke caktuar skenën për betejë finale mes myslimanëve dhe kryqtarëve që sipas profecisë do të mbahet në Dabiq, në Siri.

Mohammed al Adnani, zëdhënës zyrtar i liderit të ISIS-it, Abu Bakr al Bagdadi, ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur myslimanëve për të kryer një xhihad në vendet e tyre. Deri më sot, shumica e këtyre sulmeve janë kryer nga “ujq të vetmuar”, me pak drejtimin nga udhëheqja qendrore. Por kjo ishte vetëm një çështje kohe para se ISIS-i të fillonte të koordinonte sulmet jashtë territorit të tij. Parisi qe një shembull evident. Zyrtarët amerikanë dhe evropianë thonë se roli i Abu Mohammed al Adnanit është mbikëqyrja e sulmeve të ISIS-it drejtuara jashtë Irakut dhe Sirisë.

Sulmet e sofistikuara jashtë territorit të kontrolluara nga ISIS kërkojnë luftëtarë të trajnuar, siç dëshmohet në sulmin e Parisit dhe kanë nevojë për ndihmën operacionale të njerëzve në vend. Ndaj ISIS-i do vazhdojë të bëjë rekrutime në vendet e ndryshme. ISIS me narrativën e tij kërkon të josh të gjithë ata që mund të jenë të gatshëm për t’u bashkuar.

ISIS do të vazhdojë të ndjekë dy qëllimet e tij në të njëjtën kohë. Për një qëllim ISIS do të vazhdojë të rekrutojë shtetasit e huaj për krijimin e kalifatit të tij. Dhe për tjetrin do të vazhdojë të rekrutojë vullnetarë për të kryer sulme në Perëndim. Ndërkohë ISIS-i do të bëjë çmos për të rritur tensionet në mes të “kryqtarëve” dhe myslimanëve të zakonshëm, në mënyrë që të polarizojë myslimanët kundër njëri-tjetrit, dhe të nxisi ndarjet e brendshme brenda Perëndimit. Kjo është ajo që ISIS dëshiron sipas vetë publikimit të tij.

Përsa i përket mbështetjes nga opinioni publik janë bërë shumë sondazhe. Në përgjithësi duhet patur kujdes në përdorimin e sondazheve, dhe po sjell vetëm dy burime pak a shumë të besueshme.

Në Institutin e Uashingtonit për Studimet e Lindjes së Afërt (ËINEP) sipas sondazhit, 95% e të anketuarve në Liban, Jordani, Arabia Saudite, Kuvajt kanë raportuar se kanë  pikëpamje negative ndaj ISIS. Vetëm 2% deri 4% e tyre raportuan të paturit e një pamje “mjaft pozitive” të organizatës. Kjo është në përputhje edhe me një sondazh të shtatorit 2014.

Një sondazh i Gallup në 11 vende ka treguar gjithashtu mbështetje të ulët për ISIS-in. Në Liban, Izrael, Jordani, midis 0% dhe 3% e të anketuarve kishin pikëpamje të favorshme. Në Indonezi: 4%; Territoret palestineze 6%; Turqia dhe Burkina Faso 8%; Pakistan 9%; Malajzia dhe Senegali 11%. Nigeri ku është Boko Haram, regjistrohen vlerësimet më të larta në favor të tij 14%.

Përsa i përket se si e shohin ISIS-in nga ana politike dhe strategjike mund të them që në Perëndim ISIS konsiderohet si kërcënim strategjik global. Por asnjë nga vendet nuk është angazhuar ushtarakisht me të njëjtën fuqi materiale ashtu siç është ambicia. Kjo vjen edhe si rrjedhojë e faktit që fuqia e cila ka lidershipin, d.m.th SHBA, nuk kanë aspak qëllim të angazhohen nga ana ushtarake me trupa tokësore. Si rrjedhojë asnjë tjetër nuk do e bëjë. Nga vendet evropiane ndoshta Franca është ajo më e angazhuara. Por angazhimi është më i ulët se vullneti për eliminimin e ISIS-it.

Përsa i përket vendeve dhe forcave fqinje me territorin ku ndodhet ISIS, në thelb të gjithë janë të interesuar të dobësojnë ISIS, por jo ta zhdukin. Assadi nuk e sheh aspak ISIS-in si kërcënimin kryesor ndaj tij. Janë forcat opozitare ato që janë problematika kryesore. Vetëm duke e dobësuar deri në zhdukje opozitën Assadi forcon tezën e tij si i vetmi që mund të luftojë terrorizmin islamik. Rusia, Irani dhe Hezbollah po ndihmon tani Assadin në luftën e tij kundër opozitës. Ndaj, zhdukja tani e ISIS-it nuk është në interes të tij.  Përsa i përket kurdëve në Irak prioriteti i tyre është mbrojtja e kufijve të tyre të reja, dhe mbajtja e një autonomie de facto. Interesi i tyre është për një botë arabe të përçarë dhe një qeveri të dobët në Bagdat. ISIS është elementi që siguron këto dy situate, ndaj dhe për kurdët nuk ka interes zhdukja tani e ISIS-it. Turqia nuk e sheh ISIS-in akoma si kërcënimin e tyre kryesor strategjik. Problemi më i madh për Turqinë është krijimi i një Kurdistani të Madh që do të zinte pjesën lindore të Turqisë. Gjithashtu, është e interesuar të mbrojë zonat turkmene të gërshetuara me zonat e populluara nga kurdët sirianë në mënyrë që mos krijohet një zonë homogjene kurde në kufi me të. Nëse kurdët sirianë me YPG do te fitonin ndaj ISIS-it duke arritur qëllimin e tyre atëherë  PKK do të forcohej e gjente mbështetje për të rifilluar luftën e armatosur kundër Turqisë.

Ndaj edhe Turqia nuk ka prioritet ISIS. Shiitët irakianë kanë qëllim mbrojtjen e kufijve sektare, por nuk kanë asnjë ngut për të zhdukur ISIS-in. Pjesa më e madhe e milicive shiite në Irak janë të komanduara nga Irani, dhe interesi i mbajtjes gjallë të një kërcënimi terrorist islamik sunit është i rëndësishëm edhe për të hequr vëmendjen nga krimet që milicitë shiite kryejnë. Po mos kishte qenë për politikën sektare agresive Shiite ne Irak të nxitur nga Irani pas rënies së Sadam Huseinit ISIS nuk do kishte gjetur bazë sociale tek sunitët e Irakut. Ndaj edhe për shiitet irakenë zhdukja në këtë moment e ISIS nuk është prioritare. Irani dëshiron të përmbajë ISIS, por jo domosdoshmërisht ta shkatërrojë atë. Përveç interesave të lidhura me shiitët e Irakut, ekzistenca e ISIS funksionon që mos krijohet një bllok sunit kundërshtar i bashkuar ashtu siç ndodhi kundër tij gjatë luftës së tyre me Irakun gjatë qeverisjes së Sadam Huseinit.

Për Arabinë Saudite armiku kryesor nuk është ISIS, por është Irani. ISIS nuk është mbështetur nga Sauditët, por edhe nuk është luftuar. Edhe përsa i përket një pjesë të financimeve si fillim nga jashtë në bazë të të dhënave të shërbimeve të inteligjencës fonde kanë arritur nga familje kuvajtiane, saudite e katariote. Por brenda një kohe të shkurtër financat e ISIS –it janë bërë autonome. Për Sauditët si fillim ai u pa si një armë e radikalizimit sunit për të kundërshtuar revanshin për hegjemoni të Iranit. Irani mbetet armiku numër një për Arabinë Saudite. Mos harrohet që Arabia Saudite është e angazhuar në një front lufte të hapur në Yemen dhe jo domosdoshmërisht do që ISIS të zhduket në këtë moment.

Izraeli është i kënaqur nëse lufta në Siri do çojë në kolaps të Hezbollahut, është i kënaqur të shohë Iranin të zhytur në një luftë të pasigurt dhe lënien në harresë të çështjes palestineze. Përsa i përket zonës së pushtuar të Golanit, Izraeli nuk do lejojë krijimin e një fronti tjetër atje të Hezbollah-ut. Sulmet preçise të tij kundër ushtarakësh të lartë iranianë e Hezbollah-ut në zonë tregojnë këtë gatishmëri por edhe një akord” të heshtur” mes Rusisë dhe Izraelit. Nga ana e tyre palestinezët nuk janë fare të joshur nga ISIS. Izraeli për këto arsye nuk ka urgjencë në zhdukjen e ISIS. Libani edhe nëse do ketë probleme qoftë nga prania e refugjatëve, qoftë nga ISIS dhe Al Nusra (fronti libanez është i vetmi ku Al Nusra dhe ISIS krijojnë aleancë) do mbrohet si nga Ushtria libaneze, ashtu dhe nga Hezbollah që nuk mund të lejojë probleme ndaj komunitetit shiit në Liban (është baza e tij sociale), kurse Jordania e tronditur dhe kompakte pas djegies së gjalli pilotit ka bërë të qartë që nuk do lejojë asnjë destabilizim të brendshëm, por nuk është në gjendje të ketë rol udhëheqës kundër ISIS në këtë kontekst.

A po manipulon ISIS me fenë islame, sa përkojnë veprimet e tyre me parimet islame?

Padyshim që ISIS po manipulon me fenë islame. Xhihadistët janë të strukturuar brenda një skulpturë klasike fetare. Kalifati që kanë krijuar pretendojnë të jetë i bazuar tek feja. Në territoret e tyre aplikojnë sheriatin i cili është ai që ata mendojnë duhet të jetë. Ata e perceptojnë veten si “të pastër”. Asnjë nga aktet e tyre nuk përkon me fenë islame, as prerjet e kokave, as djegiet e trupave, as skllavëria, as përdorimi për seks i robëreshave, as vetë figura e kalifit dhe shpjegimi i xhihadit.  Këtu përgjigja do të ishte shumë e gjatë dhe sigurisht do të duhej një dijetar i cili të mund të shpjegonte çdo çështje me metrin fetar. Por problem është që pjesa më e madhe e terroristëve të ISIS sinqerisht besojnë se ata janë muslimanët e devotshëm dhe po veprojnë sipas Shkrimit të shenjtë të “Kuranit”. E vërteta e shëmtuar është se ata  janë duke vepruar në bazë të leximit fjalë për fjalë dhe jashtë konteksti të vetëm disa ajetesh Kuranore që për ta nxisin luftën dhe vrasjen kundër jomyslimanëve. Por asnjë prej tyre nuk ka dijeni fetare. Dijet e tyre janë të cekëta, të bazuara vetëm në ato ajete që përmendësh u janë future në tru, pa interpretim të saktë kontestual dhe në bazë të tarditës profetike. Pra problem është përdorimi i fesë për justifikimin e krimit.

A janë të rrezikuara Kosova, Shqipëria e Maqedonia nga sulmet terroriste dhe a e kanë sfiduar ekstremizmin këto shtete me qasjen e tyre karshi këtij fenomeni?

Personalisht mendoj pikërisht edhe në bazë të përgjigjes që dhashë duke shpjeguar qëllimin e ISIS që rekrutimet do vazhdojnë dhe trevat shqiptare siç e kemi parë janë të përfshira edhe me luftëtarët që janë atje apo që janë kthyer. Terrorizmi është i paparashikuar dhe nuk lajmëron. Qëllimi i tij është të krijojë terror dhe të japë një mesazh politik. Prandaj, sigurisht që mendoj që vendet tona rrezikojnë e mendoj gjithashtu që këto elemente mund të përdoren edhe për akte terroriste që mund të krijojnë destabilizime.

Si e shihni islamofobinë në trevat tona dhe kujt i kontribuon potencimi vend e pa vend, pra akuzimi i islamit si shkak për ekstremizëm?

Islamofobia në trevat tona është e pranishme. Është e pranishme kryesisht në Shqipëri dhe Kosovë. Nuk është masive, sepse edhe s’ka si të jetë masive. Është e një pakicë të vogël, por elitare e cila ka mikrofon për t’iu dëgjuar zëri. Nëse do akuzohet Islami për ekstremizëm do të thotë që problemin e sigurisë e shohim të lidhur me fenë. Dhe kjo është e gabuar. Siç thashë dhe më pare, nuk është Islami problem, por përdorimi i tij për qëllime kriminale po. Potencimi i islamofobisë shërben vetëm si një nga faktorët e radikalizmit.

Cilat konsideroni se janë shkaqet që kanë çuar apo mund të çojnë tek ekstremizmi fetar shqiptarët në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri?

Po të shihni narrativën e ISIS-it është narrativë që përdor fenë në mënyrë që të bindë të rekrutuarin tek ideja që ai do të jetë “myslimani i devotshëm”, dhe është narrativë që kryesisht prek persona që e ndjejnë veten të refuzuar nga shoqëria, ose e ndjejnë veten të dështuar, ose të pamundur për të ndryshuar jetën e tyre brenda shoqërisë ku jetojnë, që janë në margjinalitet shoqëror, ose që kanë nevojë për një strukturë të fortë drejtuese në jetë. Prandaj,do thosha faktorët që çojnë në ekstremizëm janë kushtet sociale, ekonomike, shoqërore, shkollore, është vetë qënia e shteteve të brishta, të korruptura dhe pasojat që kjo sjell në fenomenet shoqërore e në mënyrën e jetesës. Këto janë faktorët humus që nëpërmjet një indoktrinimi të gabuar fetar çojnë shqiptarët drejt ekstremizmit fetar.

Në fillim të luftës në Siri, qeveria e Kosovës bënte thirrje që të ndihmohet opozita siriane. A mos vallë ka ndikuar dhe kjo lloj thirrjeje që disa djem nga trojet tona të shkojnë në luftë në krahë të opozitës për rrëzimin e Bashar Al Assadit?

Në shumë raste kam dëgjuar që një nga shkaqet që ka çuar shqiptarët drejt ekstremizmit të dhunshëm kanë qenë mbështetjet e qeverive ndaj opozitës kundër Asadit. Personalisht për mua kjo është një broçkull që citohet për të mos parë arsyet e vërteta dhe për të fshirë nga ndërgjegja mungesën e vigjilencës ndaj fenomenit radikalizëm fetar që çoi shqiptarët në ekstremizëm të dhunshëm. Asnjë nuk shkon në luftë se qeveria po mbështet kauza kundër një diktatori. Sidomos ne shqiptarët që nuk kemi besim tek shteti e koezion social. Pse nuk vajtën në Irak në 2003? Mendoni se nëse qeveritë mbështesin një opozitë kudo ku ka një regjim shqiptarët do shkonin?! Unë nuk e besoj aspak. Kurse nga ana politike më duket moralisht pozitive mbështetja që qeveritë shqiptare i bënë opozitës siriane në grupin e shteteve “Miq të Sirisë”.

Pse në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri elementë të ndryshëm e kanë pasur më të lehtë që të ndikojnë në shkuarjen e të rinjve në Siri?

E kanë pasur të lehtë dhe të vështirë si në shumë vende të tjera nga ku kanë rekrutuar. Duke qenë që faktori që i bind të shkojnë atje është indokrinimi fetar, ne jemi popullsi me shumicë myslimane. Po të shihni edhe në vendet evropiane (meqë ne jemi në hartë në Evropë) rektrutimi ndodh tek të konvertuarit, ose tek myslimanët e brezit të dytë ose të tretë. Përderisa narrativa përdor fenë islame është e qartë që do prekë persona që u thonë të jenë myslimanë e jo të krishterë p.sh. Pastaj, narrativa e ISIS ka një veçori, që prek direkt në mënyrë individuale personat, por me apel për një ideologji kolektive duke prekur nevojën e secilit për rebelim ndaj shoqërisë ku jetojnë.

Si mendoni se do të duhej që të ndalej shkuarja e shqiptarëve (nga të gjitha trevat) në ISIS?

Vigjilenca duhet të kishte qenë e lartë që në fillim. Ndoshta mund të jem më e plotë në fund të punimit. Po të mos e kishin lënë pas dore do të ishte në një farë mënyre bllokuar fluksi, por nuk do ishte evituar totalisht. Shkaqet qoftë ato ekonomike, sociale, edukative dhe fetare kanë rrënjë të thella, ndaj edhe nuk mund të mendohet se do të kishte qenë e mundur të ishte ndaluar totalisht.

Cili do të duhej që të ishte angazhimi i institucioneve të Kosovës, Shqipërisë por edhe i Bashkësive Islame që të mos ketë shkuarje të reja të shqiptarëve për të luftuar në Siri?

Kësaj do desha t’i përgjigjem më gjatë pasi të kem shkruar hulumtimin tim. Do të duhen të analizohen me kujdes shkaqet e secili nga aktorët duhet të punojë në implementim e programeve apo strategjive për zgjidhjen e tyre, duhet të bashkëpunojë me njëri-tjetrin, duhet të mos ulin vigjilencën, duhet të bashkëpunojnë me aktorët rajonalë dhe ndërkombëtarë.

Nëse keni njohuri për median shqiptare, çfarë roli po luan në gjithë këtë situatë? Është objektive ndaj këtij fenomeni ose ka shumë injorancë në lidhje me të? Pra, sa janë duke paraqitur situatën reale raportimet që bëhen nga mediat shqiptare në raport me situatën atje?

Më vjen keq, por i kam ndjekur në mënyrë shumë sporadike. Kështu që nuk kam një pasqyrë të përgjithshme dhe të plotë. Një gjë mund të them që më bëri përshtypje gjatë kohës që isha prezente në territor. Dhënia vazhdimisht e 2-3 videove të marrë nga youtube e terroristit shqiptar që ka vajtur në ISIS e kërcënonte trevat tona. Unë e kuptoj që kush do e gjen në youtube, por e shoh si jehonë të propagandës së ISIS dhënien e kësaj video-je vazhdimisht në kanalet televizive. Përballë një fenomeni të tillë mendoj që duhet te ketë një kod deontolgjik. Në Itali psh ku unë jetoj, RAINEËS 24 vendosi të mos japë imazhet propagandë të ISIS.

Si e shihni rolin e Turqisë në këto luftime dhe në anën tjetër akuzat e Rusisë se Turqia po bashkëpunon me ISIS-in?

Rolin e Turqisë në një farë mënyre e shpjegova pak në fillim. Turqia që në fillim u angazhua direkt kundër regjimit të Bashar al Asadit. Turqia kërkoi që në fillim një “No Flight Zone”, ka thithur zyrtarisht më shumë se 1,7 milionë refugjatë sirianë dhe kërkoi të kishte një ndërhyrje të qartë. Në fillim, kur konflikti ishte vetëm local, mendoja që nëse do të kishte një ndërhyrje në terren kjo do të kishte qenë vetëm nëpërmjet NATO- s duke deleguar Turqinë. Përsa i përket ISIS Turqia në thelb nuk e ka konsideruar ISIS-in si armikun kryesor. Armiku kryesor për Turqinë mbetet PKK (Partia e Punëtorëve Të Kurdistanit). Kjo bëri që në thelb mos merrte masa të forta kundërshtuese ndaj trafikut të njerëzve, naftës, armëve, pjesë të monumenteve antike, etj. Është ama dhe e vërtetë që këto fenomene prekin të gjitha shtetet që janë në kufi me territore ku ka luftë dhe është shumë e vështirë të kontrollohen. Edhe shtetet e tjera janë të prekura, por për motive vizash, pozicioni gjeografik etj., nuk preken në të njëjtën sasi si Turqia. Kjo lloj situate filloi të ndryshojë kur në verë të 2015 ISIS bëri një atentat në Suruç në Turqinë Lindore duke vrarë 32 veta, dhe kur YPG (Njësia për Mbrojtjen e Popullit- parti kurde siriane e lidhur me PKK në Turqi) po fitonte territore kundër ISIS e mbështetur nga SHBA në luftën kundër Shtetit Islamik në Siri.

Ky është edhe momenti kur Turqia vë në disposicion të SHBA dy baza ushtarake. Me rëndësi qe baza e Inçirlikut në jug të Turqisë prej ku SHBA kanë goditur ISIS në Siri. Një muaj me vonë nga Suruçi pati përleshje në kufi mes ushtrisë turke dhe ISIS. Këto janë momentet kur kundërshtimi ndaj ISIS fillon të shtohet nga ana e qeverisë turke, por në të njëjtën kohë edhe ajo kundër PKK. Shtetet e Bashkuara janë shprehur që do të deshën më shumë bombardime nga ana e Turqisë kundër ISIS-it sesa kundër PKK. Ndërsa Turqia nënvizon rrezikun kurd për stabilitetin turk e kërkon një angazhim më serioz ndaj opozitës siriane nga ana e SHBA-së, duke theksuar që deri sa Asadi të jetë në fuqi rreziku ISIS nuk do shuhet e nuk do ketë paqe afatgjatë.

Përsa i përket akuzave ruse në lidhje me përfshirjen e djalit të Erdogan, Bilal Erdogan, në trafikun e naftës, Rusia nuk ka dhënë asnjë provë përveç akuzës dhe çështja doli pa faj nga Gjykata në Turqi. Ashtu si thashë më pare, Turqia për trafiqet në përgjithësi ka bëre pak për t’i bllokuar .

Si e shihni rolin dhe ndikimin e Rusisë në Lindjen e Mesme?

Le të flasim për rolin e Rusisë pas shpërbërjes të Bashkimit Sovjetik. Për shumë vite Rusia është tërhequr nga Lindja e Mesme me përjashtim të prezencës së bazës së saj në Tartus, Siri.  Është Pranvera Arabe që ndihmoi Rusia të rrisë eksportet e saj të armëve, duke e kthyer rajonin në një treg të rëndësishëm për Rusinë. Ndërmjet viteve 2006 dhe 2009, blerësit më të mëdhenj të armëve Rusisë ishin në Lindjen e Mesme. Me Pranverën Arabe të gjithë klientët e saj rritën kërkesën. Vetëm Siria me fillimin e luftës e rriti këtë kërkesë në 600%. Vende që ishin normalisht konsumatorët besnikë të Shteteve të Bashkuara filluan të kthehen e të bëjnë kërkesa Rusisë. Kjo lëvizje filloi me Egjiptin, pas përmbysjes të qeverisë të Mohammad Morsit. Duke parë një mundësi, Rusia siguroi një marrëveshje me Egjiptin. Një marrëveshje potenciale u bë edhe midis Rusisë dhe Arabisë Saudite. Rusët gjithashtu furnizojnë edhe Iranin.

Marrëdhënia e Rusisë me Turqinë është më e komplikuar. Por Turqia mbështetet tek Rusia, si dhe Irani, për furnizimin me energji dhe tregtinë, e cila i kalon 30 miliardë dollarë në vit. Me Sirinë edhe para kohëve të fundit të dy ishin aleatë të ngushtë. Kjo marrëdhënie ka ekzistuar për vite me rradhë, e bazuara fillimisht në kontratat ushtarake dhe blerje  armësh ruse dhe me lejimin e ndërtimit të bazës detare ruse në portin e Tartusit që prej 1971. Marrëdhënia e tyre u forcua në vitin 2010, pas vetos ruse në  Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku së bashku me Korenë e Veriut dhe Kinën, bllokuan një rezolutë për të detyruar presidentin Assad të japë dorëheqjen. Që atëherë, Rusia ka qenë përkrahës i fortë i Sirisë. Marrëdhënia e Rusisë me Iranin është gjithashtu veçanërisht komplekse. Kohët e fundit, Rusia ka luajtur një rol të rëndësishëm në sigurimin e marrëveshjes për të ndaluar programin bërthamor të Iranit.

Por menjëherë pas marrëveshjes, Rusia zhbllokoi 800.000.000 $ të pezulluara gjatë negociatave, për një marrëveshje për t’i dhënë Iranit një sistem të mbrojtjes nga raketat. Përveç kësaj, ajo miratoi një marrëveshje e cila lejon Rusisnë për të blerë sasi të mëdha të naftës iraniane në shkëmbim me ushqim dhe mallra të tjera. Iran, Rusi bashkohen edhe në retorikën e tyre antiperëndimore. Të dy vendet janë të bashkuara edhe në mbështetje të regjimit të Asadit në Siri. Megjithatë Iran Rusi edhe pse veprojnë si aleatë, në realitet janë partnerë që nuk kanë besim tek njëri tjetri.

Pra interesi i Rusisë në Lindjen e Mesme ka të bëjë me kontratat energjetike, me shitjen e armëve, dhe kjo merr një rëndësi të veçantë sidomos përballë sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë pas aneksimit të Krimesë dhe rënies së çmimit të naftës. Kurse shtysa e saj për pjesëmarrje fizike e materiale nga ana ushtarake në Siri nuk ka të bëjë me tregjet ekonomike, por me rëndësinë strategjike që ka baza e saj në Portin e Tartusit, i vetmi port në Mesdhe për Rusinë. Të tëra kanë rëndësinë e tyre për pozicionimin e Rusisë si superpotencë në sistemin ndërkombëtar. Vendet e Lindjes së Mesme e përdorin këtë ambicie edhe si kundërpeshë në mardhëniet e tyre me SHBA. Rusia në këtë moment është nga aktorët e jashtëm rajonal më në ekspansion dhe agresiv se kushdo tjetër.

Cila është pozita strategjike e Sirisë dhe vendeve përreth saj në aspektin global?

Siria nuk ishte strategjike dhe aq e rëndësishme sa është sot. Pranvera arabe dhe lufta civile në Siri ka ndryshuar në mënyrë drastike llogaritjet gjeostrategjike në Lindjen e Mesme. Para luftës civile, Siria ishte e rëndësishme vetëm për shkak të faktorit të Izraelit si për SHBA dhe Iranit. Për Iranin, Siria kishte rëndësi si gjatë luftës Iran – Irak sepse ishte i vetmi vend arab aleat i Iranit, edhe për aleancën strategjike për lidhjet e tij me Hezbollahun. Armët dhe paratë e Iranit drejt Hezbollahut në Liban kalojnë nëpërmjet Sirisë. Për Rusinë kishte rëndësinë e garantuar të përdorimit të bazës detare të Tartusit dhe një treg fitimprurës për armë. Por Siria nuk është vend me hidrokarbure. Nafta e Sirisë është e varfër në cilësi dhe nuk ka ndonjë interes të veçantë. Vendet e tjera KSA, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari dhe Turqia nuk kanë patur asnjëherë ndonjë interes tejet të veçantë në Siri (Turqia ka patur një konflikt në lidhje me Aleksandretën, dhe Siria nga ana e saj ka mbështetur PKK për të destabilizuar Turqinë), por lufta civile i bëri ata të përballen me sfida të caktuara për interesat e tyre kombëtare. Kështu që Siria u kthye në rëndësi strategjike për vende të ndryshme si pasojë e luftës civile në Siri.

Lufta e SHBA në 2003 në Irak i dha një kartë Iranit për të zgjeruar ndikimin e tij në rajon. Irani me krenari pohoi që kishte katër kryeqytete arabe në xhepin e tij duke ju referuar Irakut, Sirisë, Jemenit dhe Libanit. Ndikimi në rritje i Iranit u pa si kërcënim në Riad që konsiderohet në vetvete një lider rajonal. Siria kështu mori rëndësi të përtërirë strategjike për të dyja vendet në rivalitetin e tyre. Para luftës civile, Riadi nuk ka qenë një lojtar aktiv dhe nuk kishte interes të konsiderueshëm në Siri.

SHBA, nga ana tjetër, kanë qenë të interesuar në çështjet siriane për shkak të faktorit- Izrael. Dëshira ishte të prishte lidhjen në mes Iranit-Sirisë-Hezbollahut. Për këtë qëllim rënia e regjimit do çonte në eliminimin e influencës së Iranit në Siri dhe si rrjedhojë në eliminimin e rrugës tokësore të furnizimit të Hezbollahut me armë dhe para nga Irani.

Putin, pa një mundësi për rritjen e influencës së Rusisë sipas ambicieve të tij globale, duke i dhënë një dimension të ri rëndësisë strategjike të perceptimit të Sirisë. Putini po përdor tokën siriane për disa qëllime strategjike. Kjo heq disi vëmendjen e botës nga Krimea dhe Ukraina, por gjithashtu e përdor atë edhe si mjet për të rritur popullaritetin e tij si një udhëheqës i fortë për të kundërshtuar planet e dominimit perëndimor. Për Rusinë, toka siriane është shndërruar në një teatër ku interesi i tij kryesor, pas mbështetjes së regjimit të Asadit dhe bazës detare në Tartusit, është që të projektojë veten si një lojtar kyç i politikave globale i gatshëm për të zgjeruar ndikimin e Rusisë përtej kufijve të saj edhe ushtarakisht.

A mendoni se mund të ketë një bashkëpunim të mirëfilltë ndërmjet Rusisë dhe NATO-së për luftimin e ISIS-it. A mundet që intervenimi në Siri të ketë qëllim që të kontrollohet ajo pjesë për dhe të merret sa më shumë terren në “luftën” për dominim global?

Për momentin nuk ka ndërhyrje të NATO-s në luftim të ISIS, por një koalicion shtetesh. Dhe nuk besoj që do ketë ndërhyrje nga toka sepse asnjëherë nuk e ka dashur askush. Unë nuk e vë në dyshim interesin e Rusisë në luftë kundër terrorizmit sepse asaj vetë nuk i intereson të rrezikojë në Kaukaz nga ky terrorizëm. Por në Siri interesi i saj primar është mbajtja e regjimit. Nuk është e lidhur me emrin e Bashar al Assadit aq shumë, se sa me ekzistencën e një regjimi që do të ruajë interesin e saj në kontrollin dhe mbajtjen e bazës detare që ka në Tartus, e vetmja bazë ne Mesdhe për Rusinë. Aq më tepër që nëse do të bllokohej në kalimin e saj në Detin e Zi , kjo është lidhja e saj e vetme dhe me Krimenë. Personalisht nuk kam shumë besim në një bashkëpunim ushtarak në luftën kundër ISIS-it me Rusinë se interesat janë të ndryshme. Faktikisht shumë pak nga bombardimet e Rusisë janë drejtuar kundër ISIS. Ato janë të drejtuara kundër popullsisë civile dhe opozitës së Bashar al Assadit.

Konflikti në Siri nuk është më një konflikt i brendshëm, por i aktorëve lokalë rajonalë. Në Siri në këtë moment ka 2-3 lufta me prokurë. Prandaj për ta zgjidhur, së pari duhet gjetur një marrëveshje politike mes aktorëve rajonalë, duke filluar me Arabinë Saudite, Iranin dhe Turqinë dhe atyre ndërkombëtarë SHBA e Rusia. /tesheshi.com

E diplomuar për Gjuhë të Huaja në Tiranë, specifikisht  për Gjuhë e Letërsi italiane, e më pas për Shkenca Politike e Marrëdhënie Ndërkombëtare në Firence, tash e sa vjet ajo po bashkëpunon si hulumtuese në Qendrën e Studimeve Strategjike të Universitetit të Firences. Temat me të cilat është marrë janë Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Lindjen e Mesme, shiizmi politik, ku është fokusuar kryesisht tek Libani; Irani, Siria, si dhe politika e jashtme turke në këto vende. Studion prej vitesh Hezbollahun dhe vjet publikoi një libër për të. Tani është duke përpiluar një hulumtim mbi ekstemizmin e dhunshëm në trevat shqiptare.  Për herë të parë në lidhje me këtë hulumtim ajo ka folur në një intervistë për emisonin Zona B të Baton Haxhiut, në Klan Kosova, më 14 dhjetor të vitit të kaluar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.