Lajmet e fundit

Çfarë thotë babai i Elma Gjyshincës, vajzës që u arrestua për terrorizëm?

Elma, 21 vjeçe, boshnjake nga Mitrovica, është arrestuar më 25 nëntor në qytetin e Bosnjës, Kalesija, nën dyshimet për terrorizëm. Familja e saj është e bindur se Elma është e pafajshme.

Elma Gjyshinca , të cilën autoritetet e Bosnjë e Hercegovinës e kanë arrestuar për përfshirje në terrorizëm, ndërkaq që javën e kaluar e kanë ekstraduar në Serbi, prej nga është marrë nga babai i saj, Beqiri, është marrë në pyetje nga Policia e Kosovës në Mitrovicën e jugut, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, babai i saj.

“Ajo nuk është e arrestuar. Po ktheheshim nga Novi Pazari dhe gjithçka ka kaluar mirë. Nuk është e akuzuar askund. Kur kemi arritur në vendkalimin kufitar, në orën 12:00, filluan të na e kontrollojnë automjetin”.

“Më pas, e kanë nxjerrë atë jashtë automjetit dhe na thanë se duhet ta presim dikë nga Prishtina. Pastaj, janë nisur pas nesh për në Mitrovicë dhe tash, për momentin, gjendet në polici, në Mitrovicën e jugut, duke u marrë në pyetje. Na thanë se i kanë disa pyetje për të”, ka thënë babai i Elmas, Beqir Gjyshinca.

Paraprakisht, Fatos Makolli, drejtor i Departamentit kundër terrorizmit në Policinë e Kosovës, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Elma Gjyshinca, me rastin e kalimit të kufirit, në vendkalimin kufitar në Bërnjak, ka kaluar nëpër kontrollin rutinë dhe është marrë në pyetje, por ajo nuk është e arrestuar.

Babai i Elmas thotë se në Serbi nuk ekziston aktakuzë për vajzën e tij.

“E kemi marrë para një jave. Është nën stres dhe e rraskapitur. Ka kaluar 29 ditë në kamp dhe normalisht që nuk e ka pasur të lehtë. Ishte e brengosur dhe nuk hante asgjë. Nuk kemi biseduar mjaftueshëm me të, sepse nuk dëshironim ta ngarkonim. Ajo qante. Nuk besoj në ato që kanë shkruar për të, se ka trajnuar te tjerët për vepra terroriste. Ta kishte bërë këtë, atëherë do të arrestohej edhe në Serbi”, ka thënë Beqir Gjyshinca.

Pasi që autoritetet e Bosnjë e Hercegovinës, e kanë ekstraduar Elma Gjyshincën, me 22 dhjetor, të cilës i është shqiptuar masa e dëbimit dhe ndalimi i hyrjes në Bosnjë e Hercegovinë për periudhën prej 5 vjetësh, Elman, në vendkalimin kufitar, e ka marrë vet babai i saj.

Më pas, rreth 1 javë ajo ka qëndruar në Novi Pazar, te xhaxhai i saj. Ata, të martën janë nisur për në Mitrovicë, në Lagjen e Boshnjakëve, ku e kanë shtëpinë e familjes.

Elma Gjyshinca, 21 vjeçe, boshnjake nga Mitrovica, është arrestuar më 25 nëntor në qytetin e Bosnjës, Kalesija, nën dyshimet për terrorizëm. Është thënë po ashtu se ajo ka paraqitur kërcënim të mundshëm.

Elma është arrestuar së bashku me bashkëshortin e saj, Enes Meshiq, i cili menjëherë pas arrestimit është liruar.

Ai, edhe më herët, ka qenë i njohur për agjencitë e zbulimit dhe të sigurisë në Bosnje.

Ai ka qenë në grupin e njerëzve që janë arrestuar më 3 shtator të vitit të kaluar, në aksionin policor “Damask”, nën dyshimet që lidheshin me terrorizmin.

Leave a Reply

Your email address will not be published.