Lajmet e fundit

“Civilna Zastita” në Veri sfidon hapur Policinë e Kosovës: shkel ligjin, shan, fyen, kërcënon, por nuk preket dot

Dy incidente të ndodhura së fundi në veri të Kosovës, të cilat raportohen konfidencialisht nga një burim i portalit tesheshi.com, tregojnë se e ashtuquajtura Mbrojtja Civile Serbe, tashmë Civilna Zastita, çdo ditë e më shumë po fiton terren në Veri duke sfiduar Policinë e Kosovës. Ata bëjnë të ç`të duan, por ndihen të paprekshëm.

Kjo strukturë, “prodhim” Brukseli, dalë nga bisedimet dhe marrëveshjet Prishtinë-Beograd, e cila drejtohet nga Stevo Paviqeviq, komandant dhe Danillo Belibashiq, z/komandant, i njohur me nofkën Daco, po tregojnë forcën në veriun e Kosovës.

Në anën tjetër, zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë mohuar këto akuza dhe kanë theksuar është ajo që mban rendin dhe po zbaton ligjin në Veri, siç e pohoi këtë gjatë një bisdede telefonike, Besim Hoti, z/drejtori i Policisë së Kosovës për Veriun.

Dhe për ilustrim, Hoti solli shembullin e pak ditëve më parë kur karroatreci ka marrë një makinë të parkuar keq, e cila sipas tij ishte pronë e një familjari të afërt të një prej pjesëtarëve të Civilna Zastita-s

Por a është kështu siç thotë Hoti?

Deri diku po. Është e vërtetë që Policia e Kosovës ka marrë me karroatrec një automjet, pronë serbësh, por ama dhe reagimi këtyre të fundit ka qenë i tillë aq sa ka treguar sfidimin e hapur që ata i bëjnë shtetit dhe ligjit në Kosovë.

Sipas burimit, marrja me karroatrec e automjetit tip Renault/Twingo me ngjyrë të verdhë dhe pa targa, e cila ishte parkuar në trotuar, ka sjellë sherr në mes të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe atyre të ashtuquajturës Civilna Zastita-s.

Ajo ka qenë pronë e gruas së së Danillo Delibashiqit, Daco-s. Dhe, komandanti i CZ-së Stevo Paviçeviq, me ta marrë vesh këtë gjë, ka arritur në vendngjarje dhe si grup kanë sulmuar kolegët e tyre të Policisë së Kosovës duke i sharë e fyer.

Por Policia e Kosovës më pas, as që kanë pasur kurajën që t’ i ndalojë krerët Civilna Zastita-s për t’i proceduar penalisht për reagimin e tyre, ku nuk kanë munguar as kërcënimet.

Rasti tjetër i këtyre ditëve është ka patur sërish në qendër z/komandantin e CZ-së, Danillo Delibashiq, i cili, në vendin e quajtur Ballaban të komunës së Zveçanit në magjistralen e Mitrovicë-Leposaviq, ka fyer rëndë një patrulle të Policisë Kosovës që ka marrë guximin ta ndalojë. Sipas burimeve, ai ka qenë duke ecur me shpejtësi tej normave të lejuara kur i është nxjerrë para tabela “stop”.

Pas ndalimit, policët kanë vërejtur se në drejtimin të automjetit ishte Daco-ja, siç e thërrasin ndryshe Danillo Delibashiqin, i cili nuk e ka patur për gjë që t’i fyejë e kërcënojë policët e Kosovës duke iu thënë se do kenë pasoja shumë të mëdha edhe në familjet e tyre nëse e raportojnë si rast.

Dhe, policët të frikësuar nga fuqia politike dhe ushtarake që ka Delibashiq në Serbi, por dhe në Veri, vërtet që as që e kanë raportuar fare si rast.CZ

Edhe njëherë duhet kujtuar se Civilna Zastita, është ish-Mbrojtja Civile Serbe e shpërbërë, ku dhe shumë pjesëtarë të saj kanë filluar punë në institucionet e Kosovës, e që padyshim punojnë sa të munden kundër Kosovës me të gjitha mënyra që u dikton Beogradi.

Ndërsa që dy krerët e kësaj strukture, komandanti Stevo Paviqeviq dhe zëvëndësi i tij, Danillo Belibashiq, janë duke punuar që të integrohen si të punësuar dhe në pikat kufitare në Veri, Jarinje dhe në Bërnjakë, aty ku për shkak të kontrabandës, serbët po bëjnë para me thasë.
CZ

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.