Hekurudhat e Kosovës, të dëmtuara në masë të madhe gjatë periudhës së luftës, dhe pa mirëmbajtje përkatëse, edhe në periudhën e pasluftës nuk janë zhvilluar sa duhet, për shkak të mungesës së investimeve. Por kryetari i bordit të drejtorëve të Infrakosit, Hysen Fazliu, tha se janë duke u angazhuar në vazhdimësi për ngritjen e sigurisë së komunikacionit hekurudhor.
“Tani Infrakosi është në fazën e zhvillimit të projekteve për rehabilitimin e linjave ekzistuese dhe mundësinë e ndërtimit të linjave të reja”.
Kryeshefi ekzekutiv i Infrakosit, Agron Thaci, tha se infrastruktura hekurudhore përfshin rreth 500 kilometra binarë, prej tyre 333 kilometra linjë të hapur. Ai foli gjerësisht për projektet që synojnë t’i realizojnë në të ardhmen për modernizimin e linjave ekzistuese.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, tha se qeveria e Kosovës, në përputhje me rekomandimet e raportit të progresit, duhet të bëjë ribalancim të investimeve, dhe të kalojë nga investimet në transportin rrugor në atë hekurudhor. Ai foli edhe për hekurudhat në veri.
“Është një çështje që duhet të rregullohet se kujt i takon ajo pjesë e infrastrukturës. Nuk kemi dyshim se ajo është pjesë e territorit të Kosovës. Por në termin ekonomik është prioritet. Prandaj mendoj se kjo çështje duhet të jetë pjesë e dialogut teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe pas zgjedhjeve lokale të jetë në agjendë”.
Cliff theksoi se Kosova duhet t’i përmbushë standardet e BE-së edhe sa i përket aspektit mjedisor dhe shfaqi bindjen se Kosova do të nënshkruajë marrëveshjen me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e modernizimit të linjës 10, Fushë-Kosovë -Hani i Elezit. Ndryshe Infrakos është licencuar nga Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave para një viti. Ndërkaq linja e parë hekurudhore në Kosovë është ndërtuar në vitin 1874, apo para 139 vjetësh në Han të Elezit.