Zyrtarja për Marrëdhënie me Publikun në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE), Adelina Murtezaj-Bajrami, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se deri më 1 prill të vitit 2016 nuk do të ketë ndryshim të përcaktimit të çmimit për energji elektrike.
“Siç e dini, vendimi i fundit i Bordit të ZRRE-së për tarifat e energjisë elektrike nuk ka paraparë ndryshim të çmimit. Ky vendim është në fuqi deri më 1 prill 2016”, është shprehur ajo.
Ndërkaq, sa iu përket tarifave dimërore, të cilat aplikohen nga 1 tetori deri më 31 mars, Murtezaj-Bajrami ka bërë me dije se ato ndahen sipas strukturës tarifore të energjisë elektrike. “Tarifat janë të ndara sipas sezoneve dhe kohës ditore të shfrytëzimit. Tarifa e dimrit e lartë është në të gjitha ditët në mes orëve 7:00 dhe 22:00, kurse tarifa dimërore e ulët është në të gjitha ditët në mes orëve 22:00 dhe 7:00.
Ndërkaq në sezonin e verës, nga periudha 1 prill deri më 30 shtator, sipas kohës së shfrytëzimit, tarifat e larta janë në të gjitha ditët në mes orëve 8:00 dhe 23:00 dhe tarifa e ulët në mes orëve 23:00 dhe 8:00. Struktura tarifore e bën ndarjen e konsumatorëve edhe sipas konsumit në: Niveli A, prej 0 deri 200 KWH, i cili vlen për të gjithë konsumatorët, Niveli B prej 200 KWH deri 600 KWH dhe Niveli C mbi 600 KWH”. Kjo ndarje është bërë në mënyrë që pagesa për energji elektrike të jetë e përballueshme për konsumatorët shtëpiakë me të hyra të ulëta, e të cilët momentalisht përfitojnë nga blloku tarifor me konsum të energjisë nën 200 KWH/muaj, e të cilët nuk e shfrytëzojnë energjinë elektrike për ngrohje. Këta konsumatorë shtëpiakë ngarkohen me çmim më të ulët se çmimi mesatar i energjisë”, ka deklaruar Murtezaj-Bajrami.