Lajmet e fundit

Çollaku: Brenda disa ditësh e nënshkruajmë MSA-në

Ndonëse brenda kësaj jave Kosova po pret lajme për anëtarësimin e saj në organizatën ndërkombëtare UNESCO, një lajm tjetër i mirë po vjen për shtetin tonë. Brenda disa ditëve, ashtu edhe siç thotë për KosovaPress, ministri për Integrime Evropiane, Bekim Çollaku, do të bëhet nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA)
“Është vetëm çështje ditësh”, thotë Çollaku.

Ministri Çollaku, thotë të jetë punuar shumë dhe kjo punë më në fund të shpërblehet me nënshkrimin e MSA-së.

Ministria e Integrimeve, bashkë me institucionet tjera është duke punuar vazhdimisht edhe në plotësimin e tetë rekomandimeve që janë dhënë për procesin e liberalizimit të vizave.

Çollaku, thotë se vazhdon t’i mbetet besnik premtimit të tij publik të mëhershëm se edhe këto rekomandime do të përmbushen deri në fund të nëntorit. Megjithatë shpjegon se çka ka mbetur pa u përmbushur.

“Kryesisht janë çështje teknike, e disa çështje politike që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kërkohet nënshkrimi i disa marrëveshjeve me shtetin, siç është marrëveshja për riatdhesim me Turqinë. Kërkohet forcimi i kontrollit kufitar në mënyrë që të luftohet krimi ndërkufitar dhe çështje të natyrave teknike që lidhen edhe me sigurinë e dokumenteve dhe masa të tjera në blloqe të ndryshme. Ndërsa Kosova në aspektet e përmbushjes së kritereve që nga muaji qershor të këtij viti është e gatshëm dhe bazuar në atë progres, bazuar mbi atë punë po presim të kemi rekomandime pozitive gjatë këtij viti, në mënyrë që gjatë vitit të ardhshëm praktikisht qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm pa viza”, thotë Çollaku për KosovaPress.

Këto të mira që po vijnë për Kosovën, nuk po kalojnë edhe pa pengesa. Gazi lotsjellës në Kuvend të Kosovës dhe bllokimi i punës së këtij institucioni, po tregon jo unitet të partive që janë në pozitë dhe opozitë.

Çollaku kërkon që të ketë bashkëpunim të ngushtë midis opozitës dhe pozitës, në mënyrë që të gjitha proceset që janë të karakterit nacional shtetëror t’i çojnë përpara. Ministri thotë se liderët politikë të vendit nuk mund të ja lejojnë vetes luksin që të humbet kohë me çështje kaq të rëndësishme.

Leave a Reply

Your email address will not be published.