Gjatë këtij viti, institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin me qindra veprime në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA).Këto veprime lidhen direkt me plotësimin e kritereve politike, ekonomike dhe standardet evropiane që i obligon marrëveshja.
Të gjitha ndryshimet dhe masat që pritet të zbatohen tashmë janë paraparë në Programin Kombëtarë për Zbatimin e MSA-së, i cili javë më parëështë miratuar nga Qeveria e Kosovës dhe pritet të kaloj edhe në Kuvend.
Ky program llogaritet si dokumenti kryesor nacional i politikave për aderim në BE. Sipas përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, qëllimi parësor i programit është përmbushja e detyrimeve të MSA-së brenda afateve të parapara me këtë marrëveshje.
Nga të dhënat e këtij programi voluminoz, del se vetëm gjatë këtij viti, kur MSA-ja pritet të hyj në fuqi, do të miratohen dy amendamente kushtetuese dhe do të lidhen dhjetëra marrëveshje ndërkombëtare.
Po ashtu, në këtë dokument shkruan se do të bëhet edhe aprovimi si dhe plotësimi i gjithsej 83 ligjeve dhe mbi 190 akteve nënligjore por edhe akteve të tjera rregullative.
Kurse tek pjesa zbatuese e tij, janë të renditura mbi një mijë masa afatshkurtra që do të zbatohen.
Ndërkaq ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, vlerëson se të gjitha veprimet e parapara në këtë Program të cilat prekin çdo sferë të jetës shoqërore dhe institucionale në Kosovë, do të zbatohen. Ndonëse duhet përkushtim dhe angazhim i madh i të gjitha institucioneve përgjegjëse ai ka thënë se ato janë të gatshme për një hap të tillë.
“Programi Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, është baza për zbatimin e kësaj marrëveshje dhe në mënyrë mjaftë të saktë ka paraparë se si do të zbatohen dhe përmbushen të gjitha pikat e MSA-së. Prandaj këtë vit por edhe në vitet në vazhdim na pret një punë e madhe në implementimin e këtij programi i cili padyshim se do ta qoj Kosovën në BE”, ka thënë ai.
Sipas Çollakut, zbatimi i kënaqshëm i MSA-së brenda tri viteve të para, do t’i sjell Kosovës mundësinë që të bëjë hapin e radhës në rrugën e saj integruese, që është aplikimi për statusin e vendit kandidat të BE-së.
Programi për zbatimin e MSA-së, hartimin e të cilit e ka koordinuar Ministria e Integrimit Evropian në konsultim edhe me shoqërinë civile, fokusohet në tri aspekte strategjike të aderimit në BE që lidhen me përmbushjen e detyrimeve të MSA-së, përafrimin e legjislacionit kombëtar me “acquis” të BE-së si dhe zbatimin e legjislacionit të përafruar me acquis.
Më konkretisht, në këtë dokument figuron e përcaktuar një kornizë gjithëpërfshirëse e reformave afatmesme për periudhën e ardhshme pesëvjeçare: 2016-2020, për zbatim të MSA-së.
I tërë dokumenti përmban gjithsej dyzet kapituj: “5 kapituj në kuadër të bllokut të parë që lidhet me kriteret politike, 2 na kuadër të të dytit që ka të bëjë me kriteret ekonomike si dhe 33 kapituj në kuadër të bllokut të tretë i cili përfshinë standardet evropiane”.
Në kuadër të kritereve politike ky Program vendos masat dhe prioritetet në fusha si: demokracia dhe sundimi i së drejtës- pra të drejtat e liritë e njeriut dhe mbrojtja e minoriteteve përfshirë lirinë e mediave, gjyqësori e politikat kundër korrupsionit si dhe bashkëpunimi rajonal.
Sa i përket kritereve ekonomike, programi reflekton përpjekjet që do të bëhen për të siguruar rritjen e vazhdueshme ekonomike, bazuar në Kriteret e Kopenhagës për vendosjen e një ekonomie funksionale të tregut “të aftë për të t’i bërë ballë presionit të konkurrencës e forcave të tregut brenda Bashkimit Evropian”.“Masat konkrete fokusohen në arritjen e prioriteteve si konsolidimi i mëtejshëm i sektorit fiskal (me synim reduktimin e shpenzimeve publike dhe të deficitit buxhetor), stabiliteti i sistemit financiar dhe atij bankar, qeverisja e ndërmarrjeve publike, mbështetja për ndërmarrjet, rritja e investimeve, nxitja e eksportit, rritja e konkurrueshmërisë së produkteve për eksport, përmirësimi i sigurisë juridike dhe reformat e përgjithshme strukturore”, shkruan në program.
Dhe për bllokun e tretë që lidhet me standardeve evropiane, programi përshkruan kornizën ligjore dhe atë institucionale të kapitujve të veçantë të acquis-së, prioritetet për përafrimin e legjislacionit dhe hapat konkretë që do të ndërmerren.
Sa i përket fushë veprimtarisë dhe sektorëve që preken nëpërmjet zbatimit të MSA-së, sipas këtij programi del se përveç çështjeve politike e detyrimeve juridike, të jenë të mbuluara të gjitha sferat e qeverisjes: dialogu politik; bashkëpunimi rajonal, tregu i brendshëm, politika e konkurrencës, pastaj e punëtorëve, kapitali dhe shërbimet mes tregut të Kosovës dhe atij të BE-së etj.
Një grup tjetër fushash ku do të gjej zbatim MSA-ja sipas Programit për zbatimin e saj janë ato të sundimit të ligjit. Aty hyjnë punët e brendshme, gjyqësori, të drejtat e njeriut dhe politikat kundër korrupsionit.
Kurse grupi i tretë i fushave që përmenden në program janë ato që mbulojnë dispozitat e MSA-së mbi politikat e bashkëpunimit. Në këtë grup hyjnë: “politikat ekonomike e tregtare, statistikat, shërbimet bankare e shërbimet e tjera financiare, auditimi e kontrolli i brendshëm financiar, promovimi e mbrojtja e investimeve, industria, NVM-të, turizmi, bujqësia e agro-industria, peshkataria, doganat e tatimet, politikat sociale, arsimi e trajnimet profesionale, kultura e politikat audiovizuale, shoqëria e informacionit, rrjetet e shërbimet e komunikimit elektronik, transporti, energjia, mjedisi, kërkimet shkencore e zhvillimi teknologjik, zhvillimi rajonal e ai lokal, dhe administrata publike”, thuhet në program.
Sa i përket përgjegjësive institucionale për zbatimin e MSA-së, Programi i bënë përgjegjës një sërë institucionesh.
Përveç Kuvendit, i cili duhet të miratojë të gjitha ligjet e parapara, institucionet e tjera që kanë përgjegjësitë më të mëdha për zbatimin e Programit janë: Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministri e Financavepërfshirë Doganën dhe Administratën Tatimore të Kosovës. Po ashtu përgjegjëse është edhe Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, Ministria e Drejtësisë, institucionet e sistemit gjyqësor, Zyra e Kryeministrit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural si dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Ndërkaqinstitucioni kryesor koordinues, mbetet Ministria e Integrimit Evropian e cila ka kryer të gjitha parapërgatitjet për hartimin e Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, duke filluar nga janari i vitit 2015.
Gjatë zbatimit të Programit, kjo ministri do të jetë përgjegjëse për koordinimin e përgjithshëm të zbatimit të tij, kryesisht përmes monitorimit të zbatimit të tij dhe ofrimit të udhëzimeve të nevojshme./KosovaPress/