Lajmet e fundit

Çollaku: Kosova përfituese e mbi 200 milion eurove donacione gjatë 2014-ës

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, prezantoj Raportin Vjetor për Koordinimin e Donacioneve për vitin 2014.

Ministri Çollaku njoftoi pjesëmarrësit që gjatë vitit 2014, në Kosovë janë alokuar 212.4 milion euro donacione, me fokus në zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit. Donatorët më të mëdhenj kanë mbetur të pa ndryshueshëm siç është Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Donatorët kanë mbështetur sektorët që janë prioritet për Qeverinë e Republikës së Kosovës”, ka thënë ministri Çollaku.

Gjatë takimit janë prezantuar të gjeturat kryesore të Raportit të Donacioneve për vitin 2014, si dhe prioritet e ardhshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kryeministri Isa Mustafa tha se Kosova ka bërë progres të jashtëzakonshëm viteve të fundit në çdo sferë të shoqërisë dhe se ky progres, u realizua falë bashkëpunimit dhe ndihmës së vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë.

“Kam kënaqësi të veçantë që sot të marrë pjesë në hapjen e takimit tonë të Forumit të Nivelit të Lartë për koordinimin e donacioneve. Veçmas jam i lumtur që këtë po e bëjmë një ditë para se të shkoj në Strasburg, së bashku me ministrin e Integrimeve Evropiane, për të nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që është një marrëveshje tepër e rëndësishme për ne, sepse hap dyert tona që ne të kemi marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, dhe të kemi një cilësi krejt tjetër të bashkëpunimit ekonomik me vendet e Bashkimit Evropian”, tha Mustafa.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu tha se procesi i nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim është fillimi i një rruge të gjatë, që do të bëhet për t’iu ofruar shoqërisë së Bashkimit Evropian.

“Në një rrugë për të cilën ne nuk kemi alternativë tjetër, sepse kjo rrugë është përkrahur dhe përqafuar nga qytetarët tanë dhe nga gjithë miqtë tanë ”.

Takimi i radhës i Forumit të Nivelit të Lartë për koordinimin e donacioneve. është mbajtur nën organizimin e Ministrisë së Integrimit Evropian.

Leave a Reply

Your email address will not be published.