Lajmet e fundit

Çollaku: Synojmë përfundimin e dialogut politik me Serbinë në vitin 2016

Ministri për Integrim Evropian, Bekim Çollaku, ka përmendur punën që dikasteri i tij ka bërë gjatë vitit që e lamë pas.

Në një intervistë për lajmi.net, Çollaku tha se viti 2015 është shënuar me dy arritje në fushën e integrimeve, nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe progresin në procesin e liberalizimit të vizave.

Të arriturat e vitit të fundit, sipas tij, kanë qenë të përcjella me shumë sfida, siç janë kriza institucionale dhe raporti i fundit i Komisionit Evropian për liberalizim të vizave, që i rekomandojë Kosovës punë të mëtejshme në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, reformat në gjyqësor, themelimin e Gjykatës Speciale dhe të tjera.

Por me të marr këtë raport, Çollaku thotë se ministria e tij dhe institucionet relevante kanë filluar intensivisht punën për t’i plotësuar këto kërkesa dhe, sipas tij, kjo do të arrihet deri në raportimin e Këshillit Evropian, që pritet të mbahet në shkurt të këtij viti.

Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Çollaku ka thënë se në këtë vit do të arrihet një marrëveshje që do të quhet Brukseli 2, i cili do t’i vije fund dialogut, për t’i lënë më pas udhë vetëm zbatimit të saj.
Çollaku ka folur edhe për rrezikun që ekziston në rrugën e integrimit të Kosovës, nëse Serbia anëtarësohet në BE duke mos e pranuar edhe zyrtarisht Kosovën. Por, sipas tij, në dialogun për normalizimin e raporteve, BE nuk do të lejojë ndonjë mundësi ligjore që Serbia do të mund ta shfrytëzonte për ta penguar integrimin e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.