Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci tashmë ka shuar partinë e tij, që u shkëput nga partia e themeluar e Ibrahim Rugovës, LDK.
Sot LDK-ja është duke festuar 26 vjetorin e themelimit, mirëpo pa Nexhat Dacin, si njëri ndër figurat kyçe dhe krah i Ibrahim Rugovës.
Daci ka thënë se është me LDK-në, por jo në aktivitete dhe në anëtarësi, duke lënë të kuptohet se është ende përkrahës i frymës rugoviane.
“LDD ka kaluar në LDK, ka më shumë se një vit ose dy, edhe ka të zgjedhur në strukturë dhe nëpër degë. Unë nuk jam kyç në formacione as të reja e as të vjetra, do të thotë vazhdojë jetën time profesionale në akademi, por LDD ka kaluar në LDK dhe nuk ka asnjë animozitet apo mosmarrëveshje”, ka thënë Daci për Indeksonline.
Ai ka thënë se LDK ka ndryshuar nëpër vite pas vdekjes së Rugovës por, sipas tij, koha e ka bërë të vetën.
“Unë jam me LDK-në, por nuk jam aktivist, nuk jam në aktivitete të rëndomta, por jam në shtëpinë e madhe të LDK-së rugoviane. Objektivisht koha e ka bërë të vetën. Ka ndryshime të mëdha pas vdekjes së presidentit dhe themeluesit të LDK-së, Ibrahim Rugova. Ka ndryshime, por janë pjesë e kohës dhe ecjeve nëpër kohë”, ka thënë Daci.