Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë sot se absolutisht nuk ekziston kurrfarë mundësie e suspendimit të asaj që është arritur si marrëveshje në Bruksel dhe se Beogradi kërkon përgjigje të qartë se cili është qëndrimi i Bashkimit Evropian për këtë çështje.
“Ne jemi shumë të pakënaqur nga situata në Kosovë lidhur me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit. Kjo që tani po ndodh në Prishtinë është diçka e paparë”, ka thënë ai gjatë konferencës së rregullt mujore me gazetarë.
Sipas tij, në asnjë marrëveshje që e kanë nënshkruar ai ose kryeministri Aleksandar Vuçiq nuk ekziston mundësia që kushdo në nivel të Beogradit apo Prishtinës ta suspendojë.
Esenca e Marrëveshjes së Brukselit, ka thënë Daçiq, është Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe, kurse kjo, sipas tij, momentalisht po suspendohet.
“Kur do të marrë vendim Gjykata Kushtetuese dhe çka nëse ai do të jetë negativ? Kjo është lojë me stabilitetin e rajonit, njësoj si kërkesa e Kosovës për anëtarësim në UNESCO”, ka thënë ai.
Përgjigjja e BE-së ndaj kësaj situata, sipas tij, është “e vakët si gjithnjë”.
“Kur duhet kritikuar Serbinë, është shumë lehtë që të gjendet dikush që do ta bëjë atë. Kurse kur duhet thënë fjalë të rënda për Prishtinën, u prehet gjuha”, ka thënë ai, duke shtuar: “Nuk presim që dikush të na do, por jemi pjesëmarrës të barabartë në këtë proces dhe duhet patjetër të na respektojnë”.