Ligjvënësi danez, Jens Rohde, braktisi partinë e djathtë në pushtet si protestë ndaj një propozimi të debatueshëm mbi refugjatët.
Vendimin e tij për të kaluar nga Venstre tek Partia Social Liberale, Rohde e argumentoi me tronditjen nga plani që parashikon konfiskimin e sendeve me vlerë apo parave mbi shumën 437 dollarë gjatë kontrollit në pikat kufitare.
Ligjvënësi tha se me zbatimin e tij, nuk do të sekuestroheshin vetëm stolitë, por edhe dinjiteti i refugjatëve që hyjnë në këtë vend, çka duhet të mjaftojë si arsye për indinjatë mbarëkombëtare.
Propozimi nuk është miratuar ende nga Parlamenti, por edhe vetëm mundësia që ai të marrë dritën jeshile ka shkaktuar reagime të ashpra në vend.