Kimete Berisha
A ka urim më të madh për Krishtlindje nga shqiptarët e Kosovës, sesa fakti se mbi 90 % prej tyre (anipse janë musliman) që nga fillimi i Dhjetorit e kanë dekoruar bredhin e Krishtlindjeve në shtëpitë e tyre.
Tradita e shqiptarëve muslimanë shqiptarë që ta dekorojnë bredhin e Krishtlindjeve nëpër shtëpitë e tyre, anipse nuk i festojnë Krishtlindjet, vazhdon.
S’di unë çfarë propagande e madhe bëhet nëpër mediat perendimore kundër shqiptarëve të Kosovës, të cilët etiketohen me gjithfarë epitetesh, për sherr të një grushti mercenarësh xhihadistë që kanë thyer qafën në Siri e Irak, por e di se shqiptarët e Kosovës po e bëjnë atmosferë.
Sheshi Nënë Tereza në Prishtinë, është pasqyrë e kulturës perendimore të shqiptarëve.
Në atmosferë festive dhe si në renesansë, nën qiellin me hënë të plotë e me shumë drita, pranë bredhit të Krishtlindjeve, qindra vajza dhe djem të pashëm si Krishti, qëndrojnë në këmbë te shtëpizat e vogla prej druri ku shërbehet vera e kuqe e nxehtë, dhe ku shqiptarët e feve, besimeve dhe botëkuptimeve të ndryshme, pinë verë e kafe pa asnjë kompleks, të lirë për të biseduar për të gjithë profetët, të gjithë rrinë bashkë, si ata që e
kanë gjetur Zotin e tyre, si ata që nuk janë të sigurtë për Zotin, si ata që e mohojnë Zotin e tyre.
Asgjë, as komunizmi që ishte kundër bredhit të Krishtlindjeve dhe kundër çdo simboli fetar, as librat, as filmat, as këngët dhe as poezitë kundër fesë, nuk ia dolën ta çrrënjosin nevojën e njeriut për Zot.
Bredhi i stolisur është simbolikë e jetës dhe e ripërtrirjes në stinën e akulltë të dimrit, kur shkretëtira njerëzore është më e madhe, dhe atëherë kur dita është më e shkurtër.
Duke e shikuar meshën e mbrëmshme të Krishtlindjeve dhe pamjen e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, bredhin e dekoruar me të kaltrën magjike para Katedrales, nga kamera që ishte fokusuar nga kilometra lartësi, duke u çmallur me atmosferë përrallore, ‘i madh ke qenë Ibrahim Rugova’-thash!
P.S. Gëzuar Krishtlindjet!