Avokati Dastid Pallaska ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetues për Asociaciojnin e Komunave Serbe.
Ai ka thënë se ky aktvendim e pengon përfundimisht krijimin e Asociacionit.
Ja postimi i plotë i tij:
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Parimet e Përgjithshme për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë tregon se përpjekja për një të ardhme më të mirë vazhdon ta luftojë të keqën që ka kapluar vendin.
Pa pretenduar të përmbledh aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në këta pak rreshta, mund të them se ky aktgjykim pengon përfundimisht jetësimin e pjesëve të Parimeve të Përgjithshme për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë që janë në kundërshtim me Kushtetutën.
Duke i cilësuar Parimet e Përgjithshme si një dokument të ndërmjetëm për zbatimin e marrëveshjes së prillit 2013, Gjykata Kushtetuese është kursyer nga anulimi i dispozitave të Parimeve të Përgjithshme që nuk janë në pajtim me Kushtetutën.
Thënë këtë, Gjykata Kushtetuese ka qartësuar se cilat dispozita të Parimeve të Përgjithshme – e që janë shumë – nuk janë në pajtim me Kushtetutën. Për më shumë dhe çka është më me rëndësi, Gjykata Kushtetuese ka detyruar Qeverinë që pjesët e Parimeve të Përgjithshme që nuk janë në pajtim me Kushtetutën të mos i përfshijë në Statutin e Asociacionit/Bashkësisë që pritet të hartohet në të ardhmen.
Jam i lumtur që – në cilësinë e Amicus Curiae (Mikut të Gjykatës) – kam dhënë një kontribut modest në mbrojtjen e rendit kushtetues në vend.
Edhe pse qëndrimi im se Parimet e Përgjithshme paraqesin akt ekzekutiv të Kryeministrit nuk është pranuar nga Gjykata Kushtetuese – pasi që ky qëndrim do të kërkonte anulimin e pjesëve jo-kushtetuese të Parimeve të Përgjithshme – jam i lumtur që Gjykata Kushtetuese ka miratuar pothuajse të gjitha pikat meritore të Parashtresës sime Amicus Curiae me të cilën janë identifikuar dhe arsyetuar pjesët e Parimeve të Përgjithshme që janë në kundërshtim me Kushtetutën.
Përfundimisht, ky aktgjykim vërteton se shteti dhe rendi kushtetues mbrohen me mjete ligjore dhe jo me veprime të dhunshme.
Për të gjithë ata që dëshirojnë të lexojnë në tërësi Parashtresën time Amicus Curiae në gjuhën shqipe, këtë mund ta bëjnë duke klikuar në linkun vijueshttp://ëëë.pallaska-associates.org/…/Amicus-Curiae-Brief-fo….
Keni parasysh se Parashtresa Amicus Curiae është hartuar në gjuhën angleze. Kështu që juristëve që e zotërojnë këtë gjuhë ju propozoj që Parashtresën time Amicus Curiae ta lexojnë në gjuhën angleze, të cilin version mund ta gjejnë në këtë link http://ëëë.pallaska-associates.org/…/Amicus-Curiae-in-relat….