Lajmet e fundit

De Biasi befason: Mund të largohem para Evropianit

“Nuk do ta shesim shtëpinë për De Biazin”.

Kjo deklaratë e presidentit të FSHF-së Armand Duka pak ditë më parë zbuloi edhe një herë “akullin” në marrëdhëniet mes tij dhe trajnerit italian të kombëtares Giovani De Biasi.

Nuk është hera e parë që ka ulje-ngritje në marrëdhëniet mes tyre, por kualifikimi në “Euro 2016” shtoi dozat e tensionit në korridoret e FSHF-së. Batuta e De Biasit në Jerevan të Armenisë, menjëherë pas kualifikimit, se tashmë “i mjaftojnë 2-3 milion euro” nuk u pëlqye në Federatë.

Ishte i menjëhershëm reagimi i zyrtarëve të lartë të saj se “De Biasi kishte një kontratë deri në vitin 2017 dhe këtë duhet ta respektonte”. Pati edhe nga ata që kujtuan se “në rast të prishjes së njëanshme të kontratës, italiani duhet të paguante një gjobë të majme”, apo se “ishte Shqipëria që e bëri të famshëm”.

“Furtuna” e deklaratave për çështjen e rinovimit të kontratës së De Biasit sa vinte dhe bëhej më e madhe. Një muaj pas kualifikimit De Biasi mbërriti në Tiranë dhe nëpër portale u përhap një foto me presidentin Duka. Italiani tha më pas se nuk kishte qenë vetëm për vetëm në një darkë me të, por të pranishëm kanë qenë edhe përfaqësues të UEFA-s.

Përsa i përket kontratës nga të dyja palët vazhdonin të vinin qëndrime të ndryshme. FSHF e vendosur të mos bëjë lëshime për pagën e trajnerit apo stafit të tij. Në krahun tjetër italiani bënte “presion” me ofertat shumë milionëshe që i vinin nga të katër anët.

Lapsi.al mësoi se edhe ndarja e shpërblimeve për kualifikimin nuk kaloi pa rrudhje buzësh në stafin e italianit. Një tjetër largim nga stafi i trajnerit italian ishte ai i Altin Lalës si zv.trajner i dytë. Ai tha se u largua për arsye personale duke lënë të paqarta arsyet e ikjes. Në vend të tij u afrua Erion Bogdani.

Pavarësisht të gjithave, De Biasi e kishte marrë një vendim. Ai do të qëndronte deri në finalet e “Euro 2016” në Francë. Më pas do të shihte rrugën e tij. Por sërish duket se edhe kjo nuk do të jetë e lehtë sepse për shkak të këtyre përplasjeve lapsi.al ka mësuar se ai mund të largohet përpara evropianit.

Kontrata e De Biasit

De Biazi është nën kontratë deri në 2017-ën. Publikisht është shprehur vullnet për të shkuar edhe më tej, por gjasat janë të pakta. Askush nuk i di shifrat e kontratës. Duka thotë se buxheti i FSHF-së është sa 1/100 e Federatës Franceze. Ai shpesh shton se do të bëjë çdo sakrificë për të mbajtur italianin në Kombëtare, por edhe kjo duket se ka limite.

Çfarë ka ndodhur?

“Ndoshta largohem përpara “Euro 2016” nga Shqipëria”. Është kjo fraza që italiani de Biasi ua ka përsëritur shpesh në konfidencë ditët e fundit gazetarëve italianë.

Njëri prej tyre, që kërkoi të mbetet anonim i tha lapsi.al se De Biasi ishte i mërzitur me përplasjet e vazhdueshme me Dukën, FSHF-në dhe zyrtarët e saj. “Jam shumë i mërzitur” –ishte rrëfimi i De Biasit.

Të njëjtat burime thanë se tashmë krizës i është shtuar edhe lista e lojtarëve që do të thirren në ndeshjet e radhës dhe sidomos ata që do të përfaqësojnë vendin tonë në Francë.

De Biasi nuk ka dhënë detaje, por mesa duket kanë nisur ndërhyrjet për grumbullimin e emrave të caktuar në kombëtare. Italiani i mësuar që të punojë pa ndërhyrje të tilla thotë se mund të largohet më herët se parashikimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.