Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda, në Info Magazine në Klan Kosova, duke dhënë shpjegime për planin për zgjidhjen e situatës politike që ai së bashku me deputeten Vjosa Osmani e prezantuan sot në një konferencë për media në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se me 28 Nëntor, data kur opozita ka thirrur tubim popullor, duhet të festohet se politika kosovare arriti një marrëveshje e s’duhet protestuar.
“Do kisha dashur që të fillojë dialogu i partive politike dhe që me 28 nëntor të festojmë bashkë që arritëm një marrëveshje për shkak se kjo ditë është e bashkimit e unitetit dhe do të ishte mirë që të kremtojmë bashkë”.
Ndër të tjerash ai tha se s’është koha që politikanët të bëjnë kalkulime politike, për shkak se vendi është në krizë e zgjidhja është e domosdoshme.
“Ne nuk kemi kohë për kalkulime politike dhe nuk mërzitem nëse do të jem në legjislaturën e ardhshme apo jo. Ne jemi deputetë tash, dhe në këtë kohë krize kemi përgjegjësi”.
‘Ne jemi duke e kryer obligimin kushtetues si deputetë. Herët ose vonë ata do të ulen rreth një tavoline dhe pse jo kjo të bëhet qysh tani, pse të humbim kohë?”, tha Deda në Info Magazine në Klan Kosova.