Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, është një nga personat e paktë në Kosovë që mosanëtarësimin në UNESCO po e sheh si fitore. Ai nuk e ka marrë mundin ta arsyetojë humbjen, në atë që po quhet dështimi më i madh në histori të diplomacisë kosovare. Përkundrazi, vëmendjen e ka kthyer te shtetet që kanë votuar për, ani pse Kosova nuk ka arritur të anëtarësohet në këtë organizatë të Kombeve të Bashkuara.
Por, deklarata e tillë se Kosova mori vota vetëm nga vende demokratike, po shihen si të dëmshme në aspektin afatgjatë të politikës së jashtme.
Anëtari i Komisionit për Integrime Evropiane, Ilir Deda, thotë se as komisionit, por as deputetëve nuk u është kërkuar ndihmë në procesin e UNESCO’s.
Për më shumë, e gjithë fushata sipas tij ka qenë e fokusuar në 2 apo 3 njerëz.
Në një vend normal, Deda ka thënë se pas këtij dështimi së paku ministri do të jepte dorëheqje.
“Nuk mund të mashtrojë me deklarata kot sepse ai është përgjegjës pse ka ardh deri te kjo humbje. Ai nuk e ka shfrytëzuar mundësinë e lobimit të potencialit të cilin e ka Kosova për anëtarësim në UNESCO dhe ai duhet që të marrë përgjegjësinë dhe të veprojë konform përgjegjësisë sepse humbja është jashtëzakonisht e madhe dhe ne nuk mund të themi se tash ne vërtetuam se jemi me shtetet perëndimore sepse ne e kemi ditë që jemi me shtetet perëndimore”, tha Deda.