LDK -jë, dega ne Zvicër, ka dërguar një komunikatë për media ku kritikon ashpër kryesinë Qendrore për sjellje antidemokratike dhe manipulim. Në këtë komunikatë thuhet se LDK është duke vepruar kundër interesave shtetërore duke iu shërbyer disa matrapazëve.
Kjo është komunikata e plotë që e kanë dërguar për media
Nën drejtimin e kryetarit Shefqet Dibrani, Dega e LDK-së në Zvicër, mbajti mbledhje me përfaqësuesit e nëndegëve në të cilën u diskutua përkitazi me zhvillimet politike në Kosovë me theks të veçantë ato brenda LDK-së.
Kryesia e Degës së LDK-së dhe përfaqësuesit e nëndegëve shprehin shqetësimin e tyre për degradimin e demokracisë.
Në këtë mbledhje edhe njëherë u vu në spikamë dhe u shpreh mospajtim me sjelljen teknokrate, selektive dhe antidemokratike që po e bënë Kryesia e LDK-së në Kosovë, qoftë në raport me zhvillimet e brendshme partiake, apo edhe me ato të interesit kombëtar e shtetëror, ku degradimi i vlerës është bërë standard themelor e që manipulohet nga një grup i cili e ka kapur LDK-në, duke e bërë këtë parti levë për t’iu shërbyer politikave antikombëtare, tagrin e së cilës po e paguajnë dhe do ta paguajnë edhe më shtrenjtë qytetarët e Kosovës.
Kryetari i Degës z. Shfeqet Dibrani raportoi për vizitën tre javore në Kosovë, për kontaktet që kishte me personalitete dhe veprimtarë të LDK-së; deputetë dhe anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, por u pa edhe zhgënjimi i tij, për shkak të shpërfilljes nga Kryesia Qendrore e LDK-së, në kohën kur ambasada dhe përfaqësues diplomatikë në Kosovë kanë shprehur interesim për vizitën e tij duke i rezervuar pritje zyrtare.
Në mbledhje u shpreh një indinjatë ndaj disa individëve të cilët, pa kurrfarë përgjegjësie dhe legjitimiteti, në emër të gjoja njëfarë aktiviteti dhe angazhimi, po shpërdorojnë duke u thirrur në Degën e LDK-së në Zvicër. Nga kjo mbledhje iu bëhet thirrje publike këtyre matrapazve që të heqin dorë nga sjelljet aventureske, në dëmë të proceseve duke ndikuar në shkatërrimin e shumë vlerave që janë ndërtuar me mund e sakrifica.
Po ashtu nga kjo mbledhje i bëhet thirrje krytarit të LDK-së Isa Mustafa, Kryesisë së LDK-së, Këshillit Qendror të LDK-së dhe Kuvendit të LDK-së që parasegjithash të merren me reformat dhe demokracinë e brendshme në LDK, por asgjë nuk duhet të vendoset për diasporën pa u konsultuar me Degët e LDK-së në diasporë, sepse metodologjia e zhbërjes së Kuvendeve dhe Degëve i ka rrënjet në sistemin e kalbur komunist.
Isa Mustafa nuk duhet që edhe në këtë kohë të shërbehet me metodat dhe platformat e dikurshme deskriminuese të atij sistemi, nuk duhet të zbatojë politikë selektive e diskriminuese mbi degët e LDK-së në diasporë sepse, pa miratimin e kuvendeve të degëve në diasporë, çdo vendim i marrë është abuziv, arbitrar dhe do të jetë i papranueshëm dhe jo valid. Këtë gjë duhet ta dijnë të gjithë ato struktura politike që po e udhëheqin LDK-në të prir nga një koncept tashmë i vjetruar dhe i devalvuar.
Kryesia e Zgjeruar e Degës së LDK-së në Zvicër është e shqetësuar me sjelljet aspak demokratike të Kryesisë Qendrore të LDK-së në Prishtinë e cila tashmë shihet qartë se ka rënë pre e manipulantëve dhe ambicieve të shëmtuara.
Kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër, jo që shpreh shqetësimin e saj por ua tërheq vërejtjen edhe një herë të gjithë matrapazve politikë që po flasin në emër të Degës që të mos luajnë me dy standarde, por të vijnë në mbledhjet e thirrura nga kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër që udhëhqiet nga kryetari Shefqet Dibrani dhe para të pranishmëve t’i shprehin shqetësimet e tyre dhe të kontribuojnë për forcimin e LDK-së, e jo për përçarjen dhe shkatërrimin e saj.
Po ashtu ne iu bëjmë thirrje edhe mjeteve të informimit që të mos e shantazhojnë më tutje veprimtarinë e Degës së LDK-së në Zvicër, duke publikuar deklerata në emër të Degës së LDK, të njerëzve që tashmë nuk e kanë legjitimitetin e Degës së LDK-së në Zvicër.
E përserisim se qëndrimi antidemokratik i disa individëve kanë bërë që imazhi i LDK-së edhe në tubimin e datës 27.09.2015, në Zürich dhe ai i datës 03.10.2015, mbajtur në Langendorf (SO), i kanë devalvuar dhe degraduar vlerat e LDK-së, veçmas i ka vërë në dilemë edhe raportet e mira me CVP e cila nga LDK-ja ka pritur një fushatë më dinjitoze, e jo aso çfarë kanë afruar individ e matrapaz në këto dy takime. Prandaj i bëjmë thirrje edhe kryesisë qendrore në Prishtinë që të mos sillen me kaq joseriozitet, për vet faktin se komuniteti ynë në Zvicër ka pritur shumë më shumë se sa kjo që është arritur dhe i kanë prezantuar një klan i keq dhe shumë i dobtë moralisht e politikisht e që pa pra po flet në emër të Degës së LDK-së.
Kryesia e Degës në Zvicër, bashkë me veprimtarët e LDK-së nëpër nëndegët e shumta, u bënë thirrje individëve dhe të gjitha palëve të involvuara në këto veprime dyfytyrshe, që t’i thërrasin arsyes dhe t’a pranojnë realitetin e krijuar nga vota e fsheht e delegatëve të Kuvendit VIII-të të Degës së LDK-së në Zvicër.
Kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër dhe të pranishmit në këtë mbledhje, shprehin indinjatë dhe shqetësim të arsyeshëm ndaj zhvillimeve politike në Kuvendin e Kosovës si dhe ato në Universitetin e Prishtinës.
Kësaj gjendje kaq të tensionuar e ka sjell politika jo parimore dhe anti demokratike e Kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, i cili, pos tjerash, po dëshmohet mirëfilli se është kryeministër kukull në kalkulimet e PDK-së, SHIK-ut dhe arganizmave tjerë të nëntokës shkatërrimtare të demokracisë dhe shtetësisë së Kosovës.
Gjuha vulgare dhe sjellja teknokrate e kryeministrit dhe pasusesve të tij, janë edhe një dëshmi e papërgjegjsisë e cila është bërë pjesë e veprimit politike duke favorizuar klane e interesa të ngushta të cilat do ti kushtojnë Kosovës dhe të ardhmës së saj.
Kjo gjë po vërehet edhe në raportet e tij me degët e LDK-së në diasporë, sjellja teknokrate, selektive dhe shpërfillëse ndaj diasporës LDK-së dhe Kosovës do t’i kushtojë shumë .
Kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër dhe veprimtarët e anëtarët e këtij organizimi, ndjehen të fyer nga sjellja përbuzëse e Isa Mustafës veçmas ndaj degëve të LDK-së në diasporë, të cilat, sikur edhe më parë, e kanë kundërshtuar mënyrën e punës së tij që i takon së kaluarës moniste sepse, me këto sjellje abuzive dhe antidemokratike, Isa Mustafa e ka bërë LDK-në servile në raport me partnerin qeverisës në mandatin e tanishëm.
Thirrja publike për Kryesinë Qendrore dhe kryetarin Isa Mustafa, përseritet duke i bërë atij apel për ta ndërpërer abuzimin me demokracinë, sepse sjelljet teknokrate mund të jenë të denja vetëm për sistemet moniste e diktatoriale, e kurrësesi të pranueshme e të denja për Lidhjen Demokratike të Kosovës të themeluar e të udhëhequr nga Presidenti Historik Ibrahim RUGOVA.
Pavarësisht këtyre sjelljeve, dega e LDK-së në Zvicër, veprimtarët dha anëtarësia, do të vazhdonjë të punojnë me ngulm për të triumfuar demokracia dhe vizioni politik i dr. Ibrahim Rugovës duke kontribuar dukshëm në reformat demokratike që do të ndodhin në LDK dhe përgjithësisht në Kosovë. Andaj Dega e LDK-së në Zvicër apelon tek individet, udhëheqësit e Degëve në Kosovë dhe tek personalitetet e shquara akademike që të mos rrijnë indiferent por të involvohen në këtë proces dhe t’u shërbejnë reformave dhe demokracisë në LDK dhe përgjithësisht në Kosovë.
Dega e LDK-së në Zvicër, po ashtu i bënë apel faktorit ndërkombëtar që të ndikojë tek elita politike në Kosovë për t’u reformuar, duke mos e lënë anash as kryesinë e LDK-së në Prishtinë e cila me këtë sjellje dhe qendrime janë shkaktare e situatës dhe krizës së tanishme në Kosovë.