Paralajmërimi i ministres së Kosovës për Dialog Edita Tahiri, se Prishtina dëshiron që gjatë vitit 2016 të bisedojë për demarkacionin e kufirit të Kosovës e të Serbisë, në Beograd po pritet si provokim që prish atmosferën e dialogut.
Lidhur me këtë, shefi i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun ka thënë për gazetën serbe “Novosti” se është e përjashtuar që në Bruksel të bisedohet për çfarë kufijsh:
“Ekziston vija administrative,e kjo që dëgjojmë nga Edita Tahiri është provokimi më i rëndomtë me të cilët jemi mësuar. Ky mendim është me vjet drite larg realitetit. Tahiri e ëndërron këtë dhe mesazhi im është që ajo të zgjohet”, ka thënë Drecun, transmeton koha.net.
Në pyetjen nëse mendon se Brukseli mund të ketë mirëkuptim për dëshirën e Prishtinës që në tavolinë të vihet çështja e kufijve, Drecun përgjigjet se është i bindur se në BE nuk do të ketë mirëkuptim për këtë, sepse dialogu po zhvillohet në formatin neutralitet ndaj statusit:
“Është naive të besohet se përmes dialogut do të arrihet njohja e tërthortë e Kosovës”, ka thënë Drecun duke shtuar se pala serbe në dialog duhet të hapë temat për pasurinë, Kishën ortodokse serbe dhe kthimin të shpërngulurve.