Tone të ashpra kishte drejtuar ndaj organeve të drejtësisë, të enjten që shkoi, shefi i deputetëve të PDK-së, Adem Grabovci.
Por, deklarimet e tilla po shihen direkt ndërhyrje e politikës në sistemin e drejtësisë, raporton KTV.
Në Vetëvendosje, thonë se një fjalim i tillë nga Grabovci tregon më së miri se në çfarë gjendje ndodhet drejtësia dhe se si funksionojnë organet që do të duhej të ishin të pavarura.
Nënkryetari i partisë më të madhe opozitare, Driton Çaushi, ia ka rikujtuar Grabovcit aferën pronto dhe rastin kur dy djemtë e tij në 2013-ën e rrahën për alivanosje policin e Kosovës, e që dënimi i tyre përfundoi me një gjobë.
Edhe shefja e deputetëve të AAK-së, Donika Kadaj Bujupi, që vazhdon të vuajë masën e arrestit shtëpiak, thotë se për krimin po flet njeriu që e ka instaluar vetë krimin në Kuvend.
“Njeriu që është pjesë e strukturave oligarke, përgjegjës për shndërrimin e Kuvendit në vend krimi, ku shkelen sovraniteti dhe integriteti, ku konfirmohet falja e tokës dhe kthimi i Serbisë në Kosovë. Po ashtu e kanë shndërruar Kuvendin në vendin ku vota e deputetit shitet e blihet me pasurinë e vendit. Ku zaptohet shteti, ku bordet e pavarura mbushen me militantë për të mbuluar krimin e shefave. Fatkeqësisht, kjo strukturë edhe Kosovën po e shndërron në vend të krimit, ku për çdo ditë e më pak ka drejtësi, prosperitet, mundësi punësimi, vend ku gjithçka zvogëlohet e madje edhe territori, e veç pasuria e tyre rritet duke u rritur korrupsioni e krimi”, ka thënë Donik Kadaj Bujupi.
Edhe Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka quajtur ndërhyrje të drejtpërdrejtë të politikës në sistemin e drejtësisë.
Ndryshe, në Vetëvendosje kanë thënë se kjo nuk është hera e parë kur politika ndërhyn në sistemin e drejtësisë.
Ata kanë rikujtuar rastin kur nga salla alternative, Isa Mustafa e Hashim Thaçi kanë bërë të njëjtat deklarata, e veç një ditë më pas ndodhën bastisjet e arrestimet e deputetëve të opozitës.koha.net