Lajmet e fundit

Dekreti ligjor që shndërroi mijëra mësimdhënës në të pakualifikuar

Në Kosovën e pasluftës sistemi i arsimit thuaja në vazhdimësi është në një reformim, i cili shpeshherë thuhet të mos jetë analizuar sa e si duhet, ndërsa shumë mjete financiare janë shpenzuar në trajnime të ndryshme të kuadrit arsimor.

Tani del se mësimdhënësit, të cilët me dekada punuan me nxënës të konsiderohen të pakualifikuar, sepse nuk lanë kualifikim 4-vjeçar të nivelit universitar, siç parash Ligji për arsimin parauniversitar.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) nuk ka të dhëna për vitin shkollor 2014/2015, por sipas statistikave të publikuara për vitin paraprak shkollor del se 7.600 mësimdhënës janë duke ushtruar detyrën e tyre pa kualifikimin e duhur.

Pra sipas Ligjit për arsimin parauniversitar të vitit 2011 dhe akteve nënligjore të aprovuara pas vitit 2011 kërkohej që mësimdhënësit e klasës së parë deri në atë të dymbëdhjetë të kenë kualifikim të paktën 4-vjeçar të nivelit universitar. Para hyrjes në fuqi të këtij ligji, kualifikimi i nevojshëm për arsimin fillor dhe të mesëm të ulët (klasat 1-9) kanë qenë studimet dyvjeçare në shkollat e larta pedagogjike.

Tani sipas këtyre dispozitave ligjore, mijëra njerëz që kanë qenë të kualifikuar për ta ushtruar profesionin e tyre para vitit 2011 janë “shndërruar” në të pakualifikuar dhe atyre iu kërkohet tani të fitojnë diplomën universitare përmes një programi shtesë të quajtur Avancimi i Kualifikimit të Mësimdhënësve (AKM).

Këtë e pohon për KosovaLive edhe eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci, i cili nuk pajtohet me cilësimin e këtyre mësimdhënësve si të pakualifikuar, pasi ata kur janë pranuar në punë i kanë plotësuar kriteret ligjore për ushtrim të profesionit. Sipas tij, një gjë e tillë nuk ndodhë në vendet e rajonit edhe pse edhe në ato vende trendi evropian e ka shtuar kohëzgjatjen e shkollimit.

Dukagjin-Pupovci

“Nuk mund të hiqen nga puna për faktin se nuk kanë të mbaruar fakultetin, nëse në kohën kur e kanë filluar karrierën u është kërkuar vetëm shkolla e lartë. Kjo do të ishte diskriminuese. Pastaj, është gabim të injorohet përvoja që njerëzit kanë fituar duke punuar me vite si mësimdhënës dhe që ata të kthehen, në shumë raste pa vullnetin e tyre, në auditorët e universitetit, por kështu ka ndodhur dhe ky trend vazhdon”, deklaron Pupovci.

Ai duke mos përjashtuar si të arsyeshme nënshtrimin e një vlerësimi të vazhdueshëm për të gjithë mësimdhënësit dhe zëvendësimin e atyre që nuk tregojnë rezultat dhe nuk mund të përmirësohen nënvizon se në mesin e atyre mësimdhënësve që kanë përfunduar studimet dyvjeçare ka me qindra të merituar që kanë përcjellë me sukses dhjetëra gjenerata. Prandaj, nuk është e drejtë që këta njerëz etiketohen si të pakualifikuar.

Se çfarë konkretisht është duke u bërë në këtë drejtim nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për të definuar qartë statusin e këtyre mësimdhënësve apo për të zëvendësuar ata me persona adekuat e të kualifikuar për atë punë, përkundër përpjekjeve të shumta nuk kemi marrë ndonjë përgjigje.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.