Lajmet e fundit

Dënohen kompanitë që u reklamuan në rrugën B

Kompanitë që kanë vendosur reklama në muret anësore të Rrugës “B” janë gjobitur me nga 150 euro nga Komuna e Prishtinës.

Buxheti i komunës është rritur këto ditë për një shumë katërshifrore pas gjobave ndaj disa kompanive që vendosën reklamat e tyre në murin anësor të Rrugës “B” te Lagjja “Mati 1”.

Zëdhënësja e Komunës së Prishtinës Miranda Mullafazliu tregoi për KALLXO.com emrat e kompanive të dënuara.

“Kompanitë të cilat kanë vendosur reklamat e tyre pa lejen e Komunës së Prishtinës janë dënuar me gjobë mandatore me nga 150 euro. Ato kompani janë: ‘Poliklinika Istanbul Medicine’, ‘DPH BarroB’, ‘Vata SHPK’, ‘Lottosport SHA’, ‘NTP Catering’, ‘NTP TrendLight’, ‘DPT ExtraFrutti’, ‘Oline Rent a Car’, ‘Cima Company’, ‘Taxi Dallas’, ‘Taxi Victory’,” tha Miranda Mullafazliu.

Në kompaninë “Taxi Dallas” e pranuan se janë dënuar nga komuna në shumën prej 150 eurove, por fajin nuk ia lanë vetes. Thanë se nuk e kanë ditur që personi që kanë kontraktuar për reklamën nuk ka leje për këtë punë nga pushteti lokal i Prishtinës.

Zëdhënësja Mullafazliu tregoi se është në proces edhe shqiptimi i gjobave për kompanitë tjera që kanë reklamuar punën që bëjnë në Rrugën “B”.

“Janë gjithsej 21 biznese që kanë vendosur reklama, ne i kemi kontaktuar dhe gjobitur kompanitë e cekura në listë,” shtoi ajo.

Në murin ku janë vënë reklamat e kompanive, pritet të vendosen grafitet e punuara nga artisët evropianë e ballkanikë në “Guerilla Art Festival” që po mbahet në Prishtinë.

Edhe Shpend Ahmeti, kryetari i Prishtinës shkroi në Facebook se kompanitë që kanë vendosur reklamat në këtë pjesë të kryeqytetit janë gjobitur, duke iu përgjigjur në Facebook një kërkese që rruga “B” të quhet “Rrugë e Grafiteve”.

Ahmeti njoftoi se muret do të ngjyrosen për t’u larguar reklamat e kompanive dhe kështu do të përgatiten për grafitet./kallxo.com

Leave a Reply

Your email address will not be published.