Një trup gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, me datë 15.09.2015 ka shpall Aktgjykimin ndaj të akuzuarit F. S., duke e gjykuar me dënim unik prej 10 (dhjetë) muaj burgim, njofton kumtesa nga Gjykata.
I akuzuari F. S., shqiptar, shtetas i Republikës së Kosovës, është shpallur fajtor, sepse me datë 13 deri 19 nëntor 2013, në cilësinë e personit zyrtar – inspektor i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), me qëllim që vetit t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore, ka pranuar nga dy biznese të ndryshme të holla në vlerë prej 200 Euro.
Me këtë rast i akuzuari F. S. ka kryer dy herë veprën penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndaj të akuzuarit shqiptohet dënimi plotësues edhe ndalimi i ushtrimit të profesionit – veprimtarisë në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve, pas plotfuqishmërisë së këtij Aktgjykimi.
Të akuzuarit ka për t’iu llogaritur koha e kaluar në paraburgim dhe qëndrimi në arrest shtëpiak.
Palët gëzojnë të drejtën e kontestimit të këtij aktgjykimi në Gjykatën e Apelit.