Përpos pagave dhe mëditjeve, deputetët e Kuvendit të Kosovës kompensohen me rreth 4000 euro në vit për shpenzimet e rrugës, ndonëse shumica prej tyre banojnë në Prishtinë.
Sipas një dokumenti të siguruar nga gazeta “Zëri”, gjatë vitit të kaluar shpenzimet e rrugës për 75 ligjvënës kosovarë kanë arritur shumën prej mbi 170 mijë euro.
Përpos pagës mujore prej rreth 1500 euro, 240 eurove në muaj për pjesëmarrje në seancat plenare, deputetët marrin mbi 300 euro edhe për shpenzimet e rrugës.
Çështja e shpenzimeve të udhëtimit të deputetëve është e rregulluar me vendim të Kuvendit të Kosovës, i cili parasheh decidivisht kompensim për shpenzimet e udhëtimit për pjesëmarrje të deputeteve në punimet e seancave plenare dhe në komisione nga 10 euro deri në 30 kilometra, kurse nga 20 euro deri në 60 kilometra dhe 30 euro më shumë se 60 kilometra.
E para në listë me shpenzime më të larta të rrugës është deputetja Jasmina Zivkoviq, e cila udhëton nga Shtërpca për në Prishtinë dhe gjatë vitit 2012 ka shpenzuar 4720 euro.
Lista me shpenzime
Shpenzimet e rrugës së deputetit, Rasim Demiri, kanë arritur shumën e përgjithshme prej 4500 euro, Jelena Bontiq ka dërguar faturën e shpenzimeve të rrugës në relacionin Brezovicë-Prishtinë dhe anasjelltas prej 4400 euro.
Deputetit të PDK-së, Nait Hasani, shpenzimet e rrugës i kanë arritur në 4230 euro.
Deputeti i LDK-së,Armend Zemaj, për rrugë gjatë një viti i ka shpenzuar 3990 euro. Edhe deputetja Sevdije Lama ka shpenzuar 3990 euro, ndërsa deputetja tjetër e PDK-së, Safete Hadergjonaj, ka shpenzuar 3780 euro. /Zëri/