Lajmet e fundit

Deputetët e Opozitës flasin pas intervistimit në Gjykatë

“Gjithçka çka e kemi bërë, e kemi bërë në interes të shtetit dhe të Republikës. Na kanë ftuar që të dëshmojmë për veprimet e opozitës”, tha Kadrijaj mbrëmë duke dalë nga Gjykata themelore, pas disa orësh intervistomi bashkë me koleget e kolegët e saj të arrestuar një natë më parë, raporton kallxo.com.

Ajo tha se të gjitha veprimet që i bëjnë deputetët e opozitës janë veprime politike dhe “qëllimi ynë është që Qeveria të reflektojë dhe t’i tërheqë marrëveshjet e dëmshme”.

Glauk Konjufca ndaj të cilit gjykata gjithashtu caktoi masën e lajmërimit në stacionin policor deklaroi se deputetët e opozitës janë ndaluar nga policia të hënën në mbrëmje, pa u treguar kurrfarë dokumenti.

“Me forcë me futën në veturën e policisë dhe na dërguan në stacionin qendror këtu në Prishtinë”, tha Konjufca.

Masën e lajmërimit në polici, gjykata ia caktoi edhe deputetes tjetër të AAK-së, Teuta Haxhiu.

“Ne u arrestuam por prapëseprapë si opozitë përgjegjësitë i kemi të njëjta”, tha Haxhiu.

Edhe Haxhiu sikurse Konjufca u ankua se u arrestua pa iu prezantuar ndonjë fletë-arrest nga ana e policisë.

Arianit Koci, mbrojtës i të pandehurit Pal Lekaj, ndaj të cilit gjykata caktoi masën e arrestit shtëpiak pas marrjes së vendimit deklaroi se çështja e arrestimit të deputetëve “më nuk është temë në interes të publikut”.

“Prokuroria për Pal Lekajn ka kërkuar paraburgimin mirëpo unë e kam kundërshtuar dhe gjykata e ka aprovuar kundërshtimin tim dhe e ka refuzuar, dhe ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak”, tha Koci.

Sipas tij, kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit është bërë pa një analizë të thellë.

“Unë si mbrojtës i Pal Lekaj do të paraqesë ankesë kundër këtij vendimi”, tha Koci.

Leave a Reply

Your email address will not be published.