Të përlotur dhe duke u kollitur.
Kjo ishte gjendja e deputetëve të cilët duke ikur nga salla e mbushur me gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit, u përballën me gazin lotsjellës të hedhur në korridoret e ndërtesës.
Xhirimet e KALLXO.com tregojnë deputetët dhe anëtarët e kabinetit qeveritar duke vrapuar në panik nëpër hollin e Kuvendit për t’iu shmangur tymit të sapohedhur.
Madje shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, as që ndalet të flasë për gazetarët e kameramanët që rrinë aty.
“S’kam kurrfarë komenti”, tha Grabovci teksa po lëvizte qepallat e syve si pasojë e ndikimit të gazit lotsjellës.
Më vonë deputetët përdorin edhe dritaret e ndërtesës për të dalë jashtë, ndërsa më e prekura nga gazi lotsjellës duket të jetë Melihate Tërmkolli e LDK-së.