Lajmet e fundit

Deputetët që hodhën lotsjellës, kanë afat të paraqiten deri të martën

Kryeprokurori i Prishtinës Imer Beka tha se prokuroria i ka bërë ftesat për intervistim të deputetëve që hodhën gaz lotsjellës në seanca të Kuvendit të Kosovës.

Sipas Bekës, katër deputetët opozitarë, Albin Kuti, Faton Topalli, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi kanë afat deri më 17 nëntor për t’u paraqitur në prokurori.
“Ne i kemi bo ftesat. Të martën është afati i fundit për t’iu përgjigj ftesës,” tha Beka për KALLXO.com.
Por këta deputetë nuk e kanë ndërmend t’u përgjigjen ftesave të prokurorisë.
Donika Kadaj-Bujupi, deputete e AAK-së porosit kryeprokurorin Beka që të ndjekë kriminelët dhe të korruptuarit.
“Prokurori Beka sa i kërcënon deputetët dhe bëhet pjesë e përndjekjeve politike ndaj opozitës, do ishte e rrugës me fillu me reflektu dhe me i adresu pikat e raportit të progresit, të bëjë punën e vet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit dhe të mos përfshihet në lojëra politike dhe luftë kundër njerëzve që po i dalin zot vendit,” tha Kadaj-Bujupi.
Ajo bëri të ditur se nuk i jep llogari prokurorisë.
“Unë jam deputete dhe për veprimet e mija në parlament u jap llogari qytetarëve,” theksoi Kadaj Bujupi.
Edhe Albulena Haxhiu, deputete e “Vetëvendosjes” ftesat për t’u intervistuar i konsideron përndjekje të opozitës.
“Ne nuk do të paraqitemi për t’u marrë në pyetje, sepse konsiderojmë që aksioni ynë politik është i drejtë dhe për të kemi deklaruar gjithçka publikisht. Qeveria Mustafa, i ka vënë në funksion gjithë mekanizmat e shtetit, duke përfshirë edhe prokurorinë, për ta përndjekur opozitën,” tha Haxhiu.
Deputetja Haxhiu shprehu bindjen se me veprimet ndaj opozitarëve qeveria po ia plotëson kërkesat Serbisë.
“Në kohën kur Serbia po bën çmos që ta pengojë Kosovën në raportet ndërkombëtare, Kosova po bën çmos që t’ia plotësojë kërkesat Serbisë brenda territorit tonë. Madje po përndjekjen edhe deputetët në këtë funksion,” tha Haxhiu.
Prokurori Beka tregoi se çfarë mund të bëjë në rast se katër deputetët nuk paraqiten në prokurori për marrje në pyetje.
“Prokurori e ka mundësinë me deklaru dhe me bo kërkesë në gjykatë për me i sjellë personat në prokurori me dhënë intervistë,” tha ai.
Rastet kur duhet të lëshohet fletarresti përcaktohen me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues sipas detyrës zyrtare mund të lëshojë urdhërarrest me kërkesë të prokurorit të shtetit, ose në rrethana të ngutshme me kërkesë të policisë, kur i kërkuari fshihet, mund të asgjësojë provat, ose të ketë tendencë të përsëritjes së veprës penale,” thuhet në këtë kod.
Sipas kodit, fletarresti lëshohet edhe “kur i pandehuri i cili pasi është thirrur me rregull nuk paraqitet dhe nuk e arsyeton mungesën e tij, ose kur thirrja nuk ka mundur t’i dërgohet sipas rregullit dhe kur sipas rrethanave është e qartë se i pandehuri i shmanget pranimit të thirrjes”.
Më tutje thuhet se urdhërarrestin e ekzekuton policia.
“Zyrtari i policisë i ngarkuar për ekzekutimin e urdhrit ia dorëzon urdhrin të pandehurit dhe kërkon që i pandehuri ta shoqërojë. Kur i pandehuri këtë e refuzon, atëherë dërgohet forcërisht,” precizon kodi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.