Konfrontimi i protestuesve me Policinë e Kosovës, në protestat e 27 janarit të vitit 2015-ës, të cilat eskaluan dhe turma u shpërnda me topa uji dhe mjete tjera, ka bërë që Inspektorati Policor i Kosovës të hap një sërë hetimesh për veprimet dhe tejkalimet e kompetencave të pjesëtarëve të PK-së.
Nga 36 raste të dërguara në Prokurori nga ana e Inspektoratit Policor, 9 prej tyre mund të trajtohen si raste me elemente të veprës penale për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike dhe lëndim trupor.
Në kuadër të këtyre hetimeve të dërguara, sipas IPK-së, është edhe rasti i gjuajtjes së një zyrtari policor me armë zjarri gjatë protestave.
Për veprimet e pjesëtarëve të policisë gjatë protestave ku kërkohej shkarkimi i Jablanovicit, nga gjithsej 40 raste, 4 prej tyre inspektorati i ka dërguar në Departamentin e Standardeve Profesionale për trajtim disiplinor.
Ndërsa në 27 raste të trajtuara nga ana e IPK-së nuk është mundur të vërtetohen apo të gjinden elemente të veprës penale.
E hetime nga Inspektorati janë duke u kryer edhe për protestat e 18 nëntorit, ku u arrestua deputetja Donika Kadaj Bujupi dhe ato të 28 nëntorit, ku policia u konfrontua me aktivistë të Vetëvendosjes në selinë e kësaj lëvizjeje gjatë aksionit për arrestimin e Albin Kurtit.
Për këto dy protesta, ky inspektorat është duke kryer hetime në 12 raste, ku janë intervistuar të lënduarit, dëshmitarët dhe janë grumbulluar dëshmi tjera.
Ekspertët e sigurisë thonë se IPK-ja ka mjaftueshëm fakte, dëshmi dhe xhirime për sjelljet e pjesëtarëve të saj gjatë protestave.
Një inspektim i jashtëzakonshëm nga ana e Inspektoratit Policor është duke u bërë edhe për protestat e 28 nëntorit.