Dështimi i madh i kabinetit Mustafa konsiderohet të jetë mosshndërrimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës.
Krejt çka kryeministri Mustafa bëri për ushtrinë ishin deklarata dhe prononcime pas takimeve me burrështetas përkrahës të FSK-së, por dështoi që FSK-në ta fusë në agjendën shtetërore, raporton KTV
Përveç aspektit të sigurisë, Kosova po humb edhe në aspektin strategjik, me pamundësinë e saj për ta futur në agjendat ditore krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
Kjo, sipas njohësve të çështjeve të sigurisë në vend, po jep sinjale negative për shtetet që duan të krijojnë partneritet më FSK-në.
Florian Qehaja, drejtor i QKSS-së, ka thënë se qeveria duhet të ketë përsysh që nëse politikanët serbë të Kosovës refuzojnë ta përkrahin FSK-në, atëherë duhet të pezullojë bashkëpunimin me serbët e Kosovës deri në momentin kur të binden që ushtria është për gjithë qytetarët e Kosovës dhe jo kundër minoriteteve.
Por, njohësi tjetër i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani ka potencuar se i vetmi presion mbi serbët mund të bëhet duke përdorur aleatët nga Bashkimi Evropian, siç janë Gjermania dhe SHBA-ja, për të bërë presione te Beogradi dhe ky i fundit ta lejojë Listën Serbë ta votojë FAK-un, por pa u diskutuar në Bruksel kjo çështje.
Në bazë të një barometri të bërë nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, ka dalë që 90 për qind e kosovarëve presin që FSK-ja të bëhet ushtri, transmeton Koha.net.
Po sipas këtij barometri, i cili do të publikohet më 15 të këtij muaji, 50 për qind e të gjitha minoriteteve janë për krijimin e FAK-ut, ndërsa vetëm 20% e serbëve janë pro, 30% e serbëve nuk kanë interesim për këtë çështje, kurse 50 përqind e serbëve, kryesisht të veriut, janë kundër krijimit të FAK-ut.