Pasi u bë pre e një hajduti në ambientet e biznesit të saj të ri në qershor 2015, ku iu vodhën 3 mijë euro dhe 2 celularë, këngëtarja Elvana Gjata ka mundur të rigjejë disa prej sendeve të vjedhura.
Këtë fat ajo e ka pasur të paktën për dy telefonat celularë. Aparatet telefonikë të llojeve “iPhohe 6” dhe “Samsung Edge S6” ishin fshehur nga ana e autorit të vjedhjes poshtë një pllake betoni tek amfiteatri, që ndodhet në zonën e Liqenit Artificial. “Vendi sekret” është zbuluar nga vetë autori i vjedhjes, Ervin Tahiri, pas arrestimit të tij nga Policia.
“Gjatë pyetjes së të pandehurit, Ervin Tahiri, ka rezultuar se dy telefonat celularë të vjedhur i kishte fshehur tek amfiteatri i Liqenit Artificial, poshtë një pllake betoni. Nga ana e Policisë është shkuar atje dhe janë gjetur, fiksuar e sekuestruar në cilësinë e provës materiale, dy telefonat celularë të vjedhur”, thuhej në vendimin e Gjykatës, që dënoi me 3 vjet e 6 muaj burg Ervin Tahirin për “vjedhje” dhe dy vepra të tjera penale.
Nga ana tjetër, gjatë kontrollit në banesën e Tahirit, policia zbuloi 1220 euro dhe portofolin e kallëzueses, Elvana Gjata, të markës “Michael Kors”. Brenda këtij portofoli u gjetën leja e drejtimit në emër të këngëtares dhe një kartë krediti në emër të saj.
Autori i vjedhjes së sendeve të këngëtares u identifikua përmes pamjeve të kamerave të sigurisë së ambientit. Gjatë këqyrjes së regjistrimit të kamerave, oficerët e policisë kanë konstatuar se rreth orës 18:30 të 22 qershorit 2015, brenda biznesit të këngëtares ishte futur një person, i cili kishte qëndruar para lokalit para se të ndodhte vepra penale. Gjatë gjykimit, i pandehuri Tahiri ka shfaqur pendesë të thellë për ngjarjen.
RREFIMI
Në kallëzimin e saj të bërë më 22 qershor 2015, Elvana Gjata ka rrëfyer se në momentin që ndodhi ngjarja ishte në katin e dytë të dyqanit të saj për shitjen e veshjeve të nuseve. Kur ishte futur në dyqan, ajo kishte lënë mbi një tavolinë në katin e parë dy celularët e saj dhe çantën e dorës. Vetë ka hipur në katin e dytë. Rreth orës 18:30, ajo ka dëgjuar zhurmën e mbylljes së derës. Edhe pse ka zbritur me shpejtësi, ajo ka vënë re mungesën e telefonave të saj. Pasi ka kontrolluar çantën e vendosur në tavolinë, ka konstatuar mungesën e një shume prej 3 mijë eurosh që kishte aty.