Dhuna ndaj grave, si formë e dhunës në familje, ndonëse në Kosovë nuk është në përmasat e dekadave më parë, ajo vazhdon të mbetet fenomen shqetësues, të cilit i nevojitet qasje shumëdimensionale, vlerësojnë disa të rinj në Prishtinë, shkruan Radio Europa e Lirë.
Në rubrikën e përjavshme të Radios Evropa e Lirë, “VOX”, shumica e të rinjve thonë se fenomeni i dhunës ndaj gruas, është produkt inert i mentalitetit të vjetër dhe primitiv.
Andi Jusufi, student i Infermierisë, shpreh mendimin se dhuna ndaj gruas ende është e pranishme, si një fenomen që prodhon pasoja të dëmshme sociale.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, çdo vit në Kosovë raportohen më shumë se 1 mijë raste të dhunës në familje, prej të cilave rreth 95 për qind janë ndaj grave.
Aktualisht, është duke vazhduar fushata kundër dhunës në baza gjinore, e cila fushatë ka nisur më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Ndaj Grave, dhe do të zgjasë 16 ditë.
Fushata po mbahet nën patronazhin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, të Grupit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës, si dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).