Shkruan Gresa Sejdiu :
Shkrim me shkas me rastin e vrasjes tragjike të një nëne
Në Republikën tonë sovrane dhe të pavarur siç thonë me mburrje e pompozitet liderët tanë institucional, gjithçka e keqe e tmerrshme dhe tragjike kundërshtohet dhe luftohet vetëm me fjalë, me tryeza, konferenca të organizuara nga institucionet, shoqëria civile e të sponzorizuara nga organizata të ndryshme ndërkombëtare, të cilat qëllim parësor e kanë zhvatjen e një shume të madhe parash duke organizuar ndonjë ngjarje apo bisedë për dukurinë e dhunës në familje, gjegjësisht ndaj grave e që është shumë brengosëse në Kosovë. Qëllimi final i këtyre ngjarjeve me përcjellje të fuqishme mediatike, nuk është parandalimi i kësaj dukurie, por krijimi i imazhit mashtrues se ka një interesim së paku formal dhe se ka tentativa (televizive), për ta luftuar këtë dukuri.
Cili në të vërtetë është shkaku ose shkaktarët e dhunës në familje dhe ndaj gruas në veçanti dhe si mund të parandalohet kjo dukuri?
E para: është gjendja e rëndë ekonomike e shoqërisë sonë dhe roli tejet diskriminues i femrës sonë në familje dhe në përgjithësi në shoqërinë tonë që shkakton këtë dhunë.
E dyta: është e pajustifikueshme dhe e pakuptimtë indiferenca dhe inferioriteti i organeve të gjyqësisë ndaj kësaj dukurie kurse sa i përket policisë, ata ose së paku një pjesë të madhe të tyre i karakterizon injoranca ndaj kësaj çështjeje të ndijshme, e të cilët në raste të tilla kur bëhet ndonjë denoncim nga gratë, këta (policia) dijnë edhe të tallen me këto raste si pasojë e nivelit të tyre edukativ dhe arsimor, primitivizmit dhe qasjes së tyre gjoja tradicionale, se roli i burrit në familje duhet të jetë dominant dhe vendimtar në çdo rrethanë dhe rast ose gjithmonë.
E treta: familja tradicionale kosovare po përjeton strese dhe trauma nga ngjarjet dhe zhvillimet e hovshme, të cilat zhvillime kanë zënë të pa përgatitura jo vetëm gratë por në tërësi shoqërinë kosovare siç janë liria, globalizmi, teknologjia informative dhe rrjetet sociale .
Mungesa e mirëqenies sociale, e punësimit të grave, mungesa e mirëbesimit, konfrontimi i atyre që quhen vlera tradicionale dhe njohja me zhvillimet e shpejta bashkohore rreth e çark nesh dhe në botë, janë disa nga faktorët që qojnë deri tek konfrontimi, dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave.
Shoqëria jonë, familjet tona, burrat, gratë dhe nënat tona edhe pse nuk ishin dhe nuk janë të përgatitura për këto zhvillime (është detyrë e shtetit të mendojë dhe hartojë strategji kundër kësaj dukurie), shohin dhe mësojnë për botën moderne, për të drejtat dhe liritë e tyre të garantuara me ligje ndërkombëtare dhe kombëtare, të cilat ligje për fatin e keq të tyre dhe të shoqërisë sonë, shkelen çdo minutë, jo vetëm në familje por edhe në rrugë, në punë, bile shpesh herë këto të drejta shkelen edhe në mënyrë institucionale.
Si të parandalohet kjo dukuri?
Gjykatat, policia, qeveritë lokale dhe ajo qendrore, shkollat, shoqëria civile duhet të bëjnë më shumë dhe duhet të fokusohen tek familja dhe jo tek tryezat në “ Emerald” apo hotelet tjera me shumë yje, për të garantuar, parandaluar dhe mbrojtur të drejtat e grave.
Kjo mund të arrihet përmes një bashkëpunimi të ngushtë mes gjykatave dhe policisë për të parandaluar më kohë dhunën ndaj grave, pastaj përmes masave tjera parandaluese dhe senzibilizuese të organizuara dhe serioze dhe të vazhdueshme, përndryshe do të jemi vetëm spektatorë pasiv para ekraneve televizive dhe medieve tjera për informacionet e tmerrshme nga policia duke ndjerë vetëm pezëm, keqardhje dhe dhimbje (që nuk mjafton për një shoqëri normale) kur marrim vesh se u rrah, u dhunua apo u vra një nënën, një motër, një grua!