Shoqata të ndryshme që kanë kontribuar në organizimin e diasporës shqiptare, i janë bashkuar një nisme të disa qytetarëve, për të kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe paqen në të gjitha trojet shqiptare. Disa atdhetarë në diasporë, me qëllim të avancimit, promovimit dhe mbështetjes së idesë për bashkëveprim gjithëkombëtar, duke dashur të kontribuojnë në një bashkim ekonomiko-kulturorë në mbarë trojet shqiptare, janë bashkuar në organizatën “Forca e Diasporës Atdhetare” (FDA). Ata sot bënë prezantimin e platformës, e cila flet për vënien e një paqetë qëndrueshme dhe për një stabilitet ekonomik në të gjitha trojet shqiptare.
FDA mbanë dyert e hapura për çdo individ apo organizatë që ka për qëllim të kontribuojë në trojet shqiptare për investime të ndryshme.
Drejtori i FDA-së, Hamdi Mehmeti tha objektivat që do t’i realizojnë, nuk do të jenë vetëm të këtij grupimi, por të gjithë shqiptarëve.
Sekretari i organizatës, Leon Duhanaj tha se diaspora shqiptare është faktori kryesor i mbijetesës në trojet shqiptare.
Forcës së Diasporës për Atdheun, tashmë i janë bashkuar shumë shoqata e klube, të cilat kanë operuar në organizmin e diasporës shqiptare, e që përmes FDA-së, do të vazhdojnë kontributin e tyre në përkrahje të atdheut në forma të ndryshme.
Themeluesit e kësaj organizate, thonë se janë të hapur për të gjithë njerëzit e devotshëm që kanë për synim zhvillimin e vendit.
FDA është organizatë jo-qeveritare, tashmë e regjistruar në Kosovë, me qëllim të shtrirjes edhe në vendet tjera të hapësirës shqiptare, dhe në të gjithë diasporën.
Kjo organizatë do të organizojë, financojë dhe implementojnë projekte të ndryshme kulturore-bujqësore, edukativo-arsimore, shëndetësore, infrastrukturore dhe projekte që kanë të bëjnë me zhvillimin e turizmit.
Kanë për qëllim edhe të promovojnë ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe bashkëpunimin me diasporën e madhe, duke i promovuar kështu edhe idetë e bashkëpunimit ndërkufitar tek shqiptarët, përmes projekteve të ndryshme, në të cilat synohet të mos vërehen ndasitë shtetërore.