Lajmet e fundit

Dimri “kërcënon” refugjatët

Me afrimin e dimrit, Bashkimi Europian paralajmëron mbi rrezikun e një katastrofe humanitare për dhjetëra mijëra refugjatë. Vendet e bllokut janë nën presionin të mbajnë premtimet e bëra, në një kohë kur fluksi i të ardhurve sa vjen e rritet.

Rënia e temperaturave nuk e ka frenuar dyndjen e refugjatëve në Europë. Mbi 770 mijë vetë kanë mbërritur në BE nga deti këtë vit dhe mijëra të tjerë priten akoma, shumica si përherë nga dy vendet e Lindjes së Mesme të munduara prej konflikteve, Siria dhe Iraku. Ministrat e Brendshëm të bllokut u mblodhën të hënën në Bruksel për të diskutuar si do të veprohet në vazhdim.

Jean Asselborn, ministër i Jashtëm i Luksemburgut, u shpreh: “Bashkimi Europian duhet të bëjë çmos për të shmangur katastrofën tani që dimri është pranë. Ne nuk mund t`i lëmë njerëzit të vdesin nga i ftohti në Ballkan”.

Mijëra emigrantë të sistemuar përkohësisht në çadra në disa shtete ballkanike kanë nevojë urgjente për akomodim më të mirë. Udhëtimit sfilitës të refugjatëve në rrugën e ndjekur drejt veriut të Europës, tashmë i shtohen edhe kushtet ekstreme të motit. Gjatë ditës, temperaturat vazhdojnë të jenë të pranueshme, por natën, në kufirin mes Gjermanisë dhe Austrisë, ato bien deri nën 0 gradë.

Vendet përgjatë rrugës së Ballkanit kanë pasur vështirësi të mëdha në ngritjen e vendstrehimeve dimërore. Ditët e fundit, në Rigoncë të Sllovenisë, shumë refugjatëve u është dashur të qëndronin jashtë, në shi dhe të ftohtë, pa asnjë mbrojtje. Pjesa dërrmuese e strehave të emergjencës në këtë vend nuk janë të përshtatshme për dimër. As në shtetet e tjera të rajonit situata nuk është më e mirë. Anëtarët e BE-së kanë rënë dakord për një sërë masash që duhet të ndihmojnë në përballimin e krizës, por kritikët vërejnë se implementimi i tyre është tepër i ngadaltë.

Ministri i Brendshëm gjerman, De Maiziere, tha në Bruksel se blloku thjesht po tregohet tepër i ngadaltë përballë vërshimit të refugjatëve, ndërsa homologu i tij francez Bernard Cazeneuve u shpreh se BE-ja nuk mund të marrë në mënyrë sistematike vendime urgjente dhe pastaj të kërkojë kohë për vënien e tyre në jetë./ Tch

Leave a Reply

Your email address will not be published.