Lajmet e fundit

Dita e Flamurit vjen me protestë opozitare në Prishtinë

Tri partitë opozitare- Vetëvendosje, AAK dhe NISMA- kanë konfirmuar se më 28 nëntor do ta organizojnë një protestë në Prishtinë kundër marrëveshjeve të qeverisë së Kosovës me Serbinë dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Në një deklaratë të përbashkët, këto parti thonë se ka më shumë se dy muaj që ato i kanë kundërshtuar në mënyrë aktive planet e Qeverisë së Kosovës “për të instaluar në vendin tonë një republikë serbe dhe për t’ia falur Malit të Zi mbi 8000 hektarë të territorit tonë”.

Këto parti thonë se gjatë kësaj kohe kanë marrë mendimin e qytetarëve rreth këtyre marrëveshjeve duke organizuar tubime e takime me qytetarë në të cilat, thonë se kundërshtimi ndaj planeve të qeverisë ishte absolut.

Vetëvendosje, AAK dhe NISMA gjithashtu përmendin edhe një peticion të nënshkruar nga 205.254 qytetarë.

“Përballë protestave opozitare dhe mbi 205 mijë nënshkrimeve të qytetarëve, Qeveria e Kosovës u përgjigj me cinizëm, shpërfillje, përndjekje, arrestime, burgosje dhe dhunë policore. Ajo, po insiston t’i qëndrojë besnike Serbisë edhe pasi Serbia bëri çmos që përmes fushatës së saj raciste të na pengojë në UNESCO. Ajo po insiston në zbatimin e demarkacionit, edhe pse nuk ka ekspert të fushës që nuk ka treguar qartë se si Kosova humbë mbi 8000 hektarë nga kjo marrëveshje”, thuhet në deklaratë.

“Qeveria Mustafa-Thaçi, që premtoi 200 mijë vende pune, krejt çka na solli janë projektet që rrënojnë shtetin tonë dhe e ndajnë etnikisht atë, skandalet korruptive, uljen e zhvillimit ekonomik, ikjen e mbi 100 mijë qytetarëve, etj”, thuhet në deklaratën e partive opozitare.

Protesta është thirrur për 28 nëntor, ditën kur në Shqipëri e Kosovë festohet përvjetori i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Protesta do të fillojë në orën 14:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”.

“Në këtë manifestim do të shprehet masivisht, vullneti i qytetarëve të Kosovës për një shtet sovran e funksional. Për një shoqëri të barabartë dhe jo të ndarë në baza etnike”, thuhet në deklaratën e partive opozitare.

Leave a Reply

Your email address will not be published.