Në Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë, Shoqata Humanitare dhe Bamirëse e Kosovës Nëna Terezë, ka varguar disa aktivitete të cilat në thelb kanë për qëllim lehtësimin dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së familjeve nevojtare në Kosovë.
Përmes iniciativave të ndryshme, Shoqata Nëna Terezë bën thirrje për ndërgjegjësimin e gjerë ndaj nevojës së lartë për çrrënjosjen e varfërisë në vend.
Sipas një komunikate të kësaj shoqate, fillimisht, në datat 22-25 Tetor, Shoqata Nëna Terezë mirëpret Konvojin Humanitar të vullnetarëve nga Anglia, Hope and Aid Direct, të cilët mbledhin të mira humanitare si ushqim, veshëmbathje, materiale shkollore dhe higjienike dedikuar familjeve, individëve dhe institucioneve në nevojë të Kosovës. Kësaj rradhe, përmes materialeve të mbledhura deri më tani në Angli, do të përkrahen mëse 500 familje me 2,750 anëtarë, dhe 12 shkolla të mesme të ulëta në regjionin e Prishtinës dhe Gjilanit.
“Gjithashtu, përkrahja infrastrukturore për familje skamnore është pjesë e aktiviteteve të Shoqatës Nëna Terezë tashmë qe disa vite. Edhe këtë vit, duke iu falenderuar donacionit nga Sho qata Nëna Terezë Zvicër dhe miqve të tjerë, në kuadër të Programit të Ndërtimit, janë ndërtuar katër (4) shtëpi të reja për familjet nevojtare kosovare, në komunën e Gjakovës, Vushtrrisë, dhe Mitrovicës – shtëpi të cilat do të inaugurohen më 24 Tetor. Një nga shtyllat e misionit të Shoqatës Nëna Terezë është sigurimi i strehimit themelor për familjet që jetojnë në varfëri të skajshme, veçanërisht në kushte të rënda të banimit.Në vazhdën e aktiviteteve dhe projekteve të shumta, Shoqata Nëna Terezë vazhdon ende të zhvilloj projektin “Birëso një Familje,”i cili ofron një kuadër përmes të cilit mund të ndihmohen familjet nevojtare, duke u angazhuar në ofrimin e një donacioni mujor. Shumë prej familjeve në Kosovë nuk kanë mundësi absolute për të siguruar për vete nevojat themelore shkaku i kushteve të vështira sociale dhe ekonomike, ku artikujt të tilla si buka, qumështi dhe vezët janë thjeshtë përtej buxhetit të tyre. Duke “Birësuar një Familje,” familja nevojtare sigurohet me mbështetje mujore në të holla, dhe/ose me artikuj bazë ushqimor dhe higjienik, veshëmbathje, elemente shtëpiake ose pagesa të tarifës shkollore për nxënësit. Ndër të tjera, gjatë vitit janë ndihmuar 60 familje përmes projektit zhvillimor me bletë, serra, dhe dhi, projekt ky i mbështetur bujarisht nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë,i cili ka si synim zhvillimin e ekonomisë familjare, zhvillimin rural në Kosovë, si dhe zbutjen e shpërnguljes së banorëve nga regjionet e ndryshme anembanë Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Gjithashtu, Shoqata Nëna Terezë është bashkë themeluese dhe njëherit anëtare e Rrjetit të Kosovës Kundër Varfërisë (KAPN), i themeluar me qëllim të kontributit në zbutjen e varfërisë si dhe ngritjes së përfshirjes sociale për gjithë qytetaret e Kosovës. Misioni i KAPN është që të rris kualitetin e jetës në Kosovë duke mundësu ar qasje të barabartë në punësim, qasje në edukim dhe shëndetësi si dhe në pjesëmarrje sociale. Puna e KAPN do të ndikojë që të gjithë banorët e Kosovës pa dallim etniciteti, besimi politik dhe fetar, të përfitojnë nga angazhimi i luftimit të varfërisë.
Drejtori i Shoqatës Nëna Terezë, Zef Shala, ka shpjeguar se mbështetja e familjeve nevojtare përmes projekteve të ndryshme, është misioni kyç i Shoqatës.
“Është e rëndësishme për të përkujtuar se të gjithë ne duhet të tregojmë përgjegjësi për të mbrojtur njerëzit në nevojë. Familjet që jetojnë në varfëri e përjetojnë cdo ditë faktin se varfëria dhe diskriminimi janë të ndërthurura ngushtë. Adnaj, ne duhet punuar që këto familje t’i bëjmë partnerë kyç në ndërtimin e një të ardhme të qëndrueshme, duke iu ofruar kushte dhe mundësi për jetesë të dinjitetshme dhe stabile. Duke e pasur parasysh gjendjen aktuale në të cilën shumë familje t ë Kosovës jetojnë, Shoqata Nëna Terezë ka nevojë për ndihmën tuaj, dhe iu bëjmë thirrje për kontributin e secilit qytetar i cili ka mundësi dhe vullnet për të ndihmuar familjet në nevojë të Kosovës,”- u shpreh Shala.
Për çdo vit, Shoqata Nëna Terezë ndihmon mbi 6000 familje në tërë Kosovën, por në krahasim me nevojat në terren, këto arritje mbeten rezultate simbolike.