Demokracia në Veprim vlerëson se procesi zgjedhor në raundin e dytë për kryetar komunash ka realizuar në masë të madhe standardet demokratike dhe si i tillë ka garantuar zgjedhje të lira, të drejta dhe të barabarta, me përjashtim të disa parregullsive që vazhdojnë të përcjellin në vazhdimësi procesin zgjedhor në Kosovë.
Në një deklaratë preliminare lidhur me procesin zgjedhor për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar komunash thuhet se të drejtën për të hedhur votën e tyre në kutitë e votimit e kanë shfrytëzuar 548,909 votues apo 40.02% në 594 Qendra të Votimit apo 1816 vendvotime, në të gjitha komunat ku është organizuar raundi i dytë i zgjedhjeve.
Nga aspekti i menaxhimit dhe organizimit teknik, KQZ ka siguruar që materiali i domosdoshëm zgjedhor të jetë i pranishëm në të gjitha vendvotimet në kohën e duhur, si dhe ka reaguar me shpejtësi në të gjitha ato raste kur është raportuar për ndonjë mungesë eventuale të materialeve të tilla.
Përkundër vlerësimit pozitiv të procesit në përgjithësi, DnV vlerëson se edhe në këto zgjedhje janë evidentuar parregullsi që vazhdojnë të përcjellin në vazhdimësi procesin zgjedhor në Kosovë, si rastet e fenomenit të “votës së korruptuar” ku dyshohet se votuesit kanë bërë fotografimin e votës; edhe më tutje shqetësim mbeten pasaktësitë në listat e votuesve.
Po ashtu janë raportuar disa raste të prezencës së personave të pa-autorizuar afër qendrave të votimit dhe në disa raste edhe brenda vetë qendrave të votimit.
Vëzhguesit e DnV-së po ashtu kanë raportuar disa raste të tentimit nga qytetarë të papërgjegjshëm për të votuar dy herë, apo tentime për të votuar me dokumente false. Rastet e tilla më së shpeshti janë raportuar në Mitrovicën e Veriut.
Ndërkaq, votimi familjar edhe më tutje mbetet shkelja më e shpeshtë në proceset zgjedhore në Kosovë.
“DnV kërkon nga KQZ që në përputhje me kompetencat ligjore dhe kushtetuese të mos vonojë procesin e numërimit dhe certifikimit të rezultateve përfundimtare, në mënyrë që të mos vonohet konstituimi i institucioneve lokale në implementimin e mandatit dhe obligimin që ato kanë ndaj qytetarëve të Kosovës”, thuhet në deklaratë.