Demokracia në Veprim njoftoi të hënën se nga të dhënat e vëzhguesve, vlerësimi i përgjithshëm është që procesi zgjedhor në ditën e votimit për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit 2013, përkundër disa parregullsive të vogla, ka qenë një proces zgjedhor i qetë, i rregullt dhe demokratik, me përjashtim të veriut të vendit, ku qytetarët e asaj pjese nuk kanë mundur të votojnë lirshëm.
Sipas tyre, nga aspekti i organizimit teknik, KQZ ka siguruar që materiali i domosdoshëm zgjedhor të jetë i pranishëm në të gjitha vendvotimet në kohën e duhur, si dhe në përgjithësi nuk është shënuar ndonjë rast ku ka pasur vërejtje mbi kualitetin e këtyre materialeve.
DnV bëri të ditur se bazuar në të dhënat e vëzhguesve të DnV-së, të drejtën për të hedhur votën e tyre në kutitë e votimit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës e kanë shfrytëzuar 803.359 votues apo 48,83% nga gjithsej 1.779.357 sa ishin të regjistruar në listën përfundimtare të votuesve.
DnV me angazhimin e 1600 vëzhguesve ka monitoruar procesin e votimit në Zgjedhjet Lokale të 3 nëntorit 2013 në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Po ashtu, në ditën e votimit, DnV ka pasur Qendrën e saj të Thirrjeve dhe komunikimit me publikun me 130 vullnetarë të angazhuar.
“DnV po ashtu shprehë shqetësim se institucionet përgjegjëse për siguri nuk kanë arritur të ofrojnë sigurinë e duhur për të garantuar një proces të lirë dhe të barabartë në veri”, thuhet në komunikatë.
DnV kërkon nga KQZ dhe OSBE, që sa më shpejtë që është e mundur të bëjë transparent rrjedhën e ngjarjeve në Mitrovicën e Veriut, por edhe në tri komunat tjera të veriut (Leposaviq, Zvecan dhe Zubin Potok) ku votimi është përfunduar para kohe dhe ka një paqartësi se çfarë ka ndodhur me kutitë e votimit dhe a kanë qenë nën mbikëqyrjen e administrueseve të zgjedhjeve.
Përkundër vlerësimit pozitiv të procesit në përgjithësi, DnV vlerëson se edhe në këto zgjedhje janë evidentuar disa parregullsi që pothuajse në vazhdimësi po i përcjellin proceset elektorale në vendin tonë.
“Gjatë vëzhgimit nga monitoruesit janë evidentuar raste të prezencës së personave të paautorizuar të cilët kanë tentuar të ndikojnë në përcaktimin e qytetareve për të votuar. Votimi familjar edhe më tutje mbetet shkelja më e shpeshtë në proceset zgjedhore në Kosovë. Votimi familjarë apo prezenca e dy e më shumë persona në kabinën e votimit kanë qenë raste të shprehura në shumë vendvotime. Janë evidentuar mbi 200 raste të votimeve familjare. DnV ka identifikuar një numër të rasteve të fenomenit të “votës së korruptuar” ku dyshohet se votuesit kanë bërë fotografimin e votës”, bëhet e ditur në kumtesë.
Vëzhguesit e DnV-së po ashtu kanë raportuar disa raste të tentimit nga qytetarë të papërgjegjshëm për të votuar dy herë, por vlen të theksohet që ka qenë reagimi i komisioneve të cilat nuk kanë lejuar të votohet më shumë se një herë.
Po ashtu prania e personave të vdekur në lista si dhe ndërrimi i vendvotimeve për votuesit kanë qenë raste të shprehura në disa komuna të Kosovës.