Dogana e Kosovës ka vazhduar me performancën e jashtëzakonshme në aspektin e mbledhjes së të hyrave për buxhetin shtetëror. Sot dogana ka tejkaluar shifrën rekord mbi 800 milionë euro që në krahasim me vitin e kaluar është një rritje e madhe.
Kështu thuhet në një komunikatë të Doganës së Kosovës, ku thuhet se kjo rritje tregon se dogana është një administratë moderne, efikase dhe profesionale, gjithashtu e aftë për t’u përballuar me të gjitha sfidat.
“Kjo e arritur përkon edhe me raportin e Komisionit evropian të publikuar para dy ditëve ku theksohet se: Reformat e suksesshme në administratën Doganore kanë ndikuar në vlerësimin më të mirë mallrave dhe luftimin e kontrabandës e që si rezultat sollën 7,4 % më shumë të hyra krahasuar me shtatë muajt e parë të viti 2014. Gjatë vitit 2014 dogana deri më 11 nëntor kishte arritur të grumbullonte 739.8 milionë euro, derisa në këtë viti dogana ka arritur të mbledhë 801.9 milionë euro. Kjo paraqet një rritje prej 8.4% apo shprehur në vlera monetare 62.1 milionë euro më shumë. Dogana fton qytetarët që të thërrasin në telefonin 0800 50 095 nëse hasin apo shohin keqpërdorime dhe kontrabandim, sepse vetëm së bashku mund të mbrojmë dhe ndërtojmë shtetin tonë”, thuhet në komunikatë.