Lajmet e fundit
Dokumente dhe dosje sekrete të FSK-së në duar të inteligjencës serbe?!

Dokumente dhe dosje sekrete të FSK-së në duar të inteligjencës serbe?!

Dosjet e çdo pjesëtari të FSK-së, të kadetëve të saj, si dhe të atyre që janë pjesë e stafit civili të Ministrisë së FSK-së, dyshohet se kanë rënë në duar të Shërbimit të Kundërzbulimit të Ushtrisë së Serbisë.

Bëhet me dije ky fakt nga një burim konfidencial që informon për portalin tesheshi.com.

Në anën tjetër, zyrtarë për informim të Ministrisë së FSK-së, për portalin tesheshi.com, kanë mohuar të keni informacione të tilla.

“Zyrtarisht nuk është evidentuar ndonjë rast i tillë”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së FSK-së Ibrahim Shala, për portalin tesheshi.com, përmes postës elektronike.

Njëherësh Shala ka mohuar që FSK-ja të ketë informacion se ndokush nga pjesëtarët e kësaj Ministrie të jetë hetuar nga policia e Kosovës për spiunim.

A dyshohet dikush, ndonjë person i punësuar në FSK, si staf civil, politik apo ushtarak të ketë nxjerr këtë dokumentacion nga sirtarët e FSK-së dhe t’jua dorëzuar zyrtarëve të shtetit serb?

“Nuk është raportuar për hetim ndaj ndonjë individi për dyshime të kësaj natyre”, ka thënë zëdhënësi në fjalë.

Por ç`thotë burimi konfidencial, që duhet theksuar se është një person i huaj, pjesë e kontigjentit të ndërkombëtarëve që veprojnë në Veri?

Ai deklaron se përveç Shërbimit të Ushtrisë serbe, dosjet e ushtrisë së ardhshme të Kosovës, FSK-së, si dhe planet e saj konfidenciale, po ashtu dyshohet se kanë rënë edhe në duar të policisë serbe në pjesën veriore të Mitrovicës si dhe në duar të Agjencisë Serbe të Inteligjencës BIA.

Por më e rënda është se burimi pohon që dokumentet që po shkojnë në duart e serbëve, po nxirren prej dikujt në FSK:

“Personi që ka nxjerr dhe po nxjerr akoma dosjet dhe dokumentet konfidencial të FSK-së, e që po i dorëzon në institucionet serbe të sigurisë, është person nga stafi civil i cili punon në Ministrin e FSK-së dhe është i njohur për shërbime të inteligjencës së NATO-së. Ai ose ajo, është hetuar edhe nga policia e Kosovës dhe AKI-ja”.

Dhe sipas burimit, në gjysmën e dytë të vitin 2011, dyshohet se personi me të gjitha dosjet e pjesëtarëve të FSK-së ka udhëtuar për në kryeqytetin e Vojvodinës, Novi Sad, ku edhe i ka dorëzuar ato.

“Spiuni i FSK-së në Novi Sad, dosjet ia ka dorëzuar një pjesëtari të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, i njohur me emrin Marko”, thotë burimi, duke shtuar: “Marko, mbiemri i të cilit nuk dihet, por që punon në shërbimin e kundërzbulimit të ushtrisë së Serbisë, i ka marrë të gjitha dosjet e FSK-së të përkthyera në gjuhën serbe”.

Ky spiuni i FSK-së, njihet si person shumë i afërt me kapon e krimit në veri të Mitrovicës dhe Kosovës, Zvonko Veselinoviqin, bën me dije burimi, sipas së cilit ka qenë pikërisht ky i fundit që ka bërë dhe rekrutimin e njeriut të FSK-së për të punuar për Shërbimin Ushtarak Serb si dhe për shërbime të tjetra të inteligjencës serbe.

Po ashtu, dosjet dhe dokumentet e FSK-së dhe pjesëtarëve të saj, po nga ky spiun, kanë rënë edhe në duar të ish-shefit të Policisë së Serbisë për veriun e Kosovës, Gjorgje Dragoviq i njohur me nofkën Gjolle, ka thënë burimi.

Burimi ka shkuar më tej duke theksuar se të gjitha dosjet dhe dokumentet e FSK-së, nga gjuha shqipe në gjuhën serbe, i ka përkthyer një shqiptar nga veriu i Mitrovicës i cili është i angazhuar në strukturat paralele të Serbisë në veri të Mitrovicës.

Sipas zyrtarit ndërkombëtar që ka folur për portalin tesheshi.com, me kusht të anonimitetit, i dyshuar për spiunim të FSK-së tek serbët ka dhënë edhe informacion sekrete për lëvizje të përbashkëta të KFOR-it dhe FSK-së, e këtu hyjnë edhe trajnim si dhe stërvitja e pjesëtarëve dhe kadetëve të FSK-së nëpër botë.

Në vitin 2011, në media kosovare është përfolur për një aferë në FSK, se ish-zëvendësministri i FSK-së nga radhët e komunitetit serb ka nxjerrë dokumente sekrete të FSK-së e që më pas i ka dhënë Beogradit.

Kjo aferë është mbyllur shumë shpejtë ndërsa ish-zëvendësministri para mediave ka deklaruar se kurrë në asnjë rast nuk ka nxjerrë dokumente të FSK-së, që t`ia japë dikujt tjetër./tesheshi.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published.