Partitë opozitare kanë thënë se veprimet e fundit të pozitës në Kuvendin e Kosovës kanë delegjitimuar këtë institucion. Donika Kadaj Bujupi nga AAK, tha se pushteti aktual po i shërben shtetit fqinj, duke aluduar në Serbinë.
“Ikën si minjtë në një vrimë dhe deligjitimuan Kuvendin. Seanca ishte klandestine”, ka thënë Kadaj- Bujupi në konferencën për media që bashkë me përfaqësuesit e VV! dhe Nismës e mbajtën të dielen në Kuvendin e Kosovës.
KAdaj Bujupi shtoi se të premten në Kuvend kishte dhunë të jashtëzakonshme. “Më shumë kishte policë se sa deputetë. Jemi penguar të jemi pjesë e seancës”, ka potencuar më tej ajo.
Megjithatë, Kadaj Bujupi tha se opozita do të vazhdojë me përpjekjet e tyre në mënyrë që marrëveshjet me Serbinë dhe me Malin e Zi të nënshkruara në Bruksel, të mos zbatohen.
“Kjo qeveri nuk ka më legjitimitet. Kanë fyer gratë dhe nënat kosovare. Kadri Veseli na ka ofenduar si Jabllanoviqi dhe duhet të jap dorëheqje”, ka shtuar më tej deputetja e AAK-së.
Ndërkaq, Glauk Konjufca nga Vetëvendosje, tha se prania e policisë në sallë është e papranueshme.
“Përgjegjës nga ekzekutivi janë Kryesia e Kuvendit, Kadri Veseli, Sabri Hamiti, Xhavit Haliti, Isa Mustafa Skender Hyseni, Shpend Maxhuni dhe Naim Rexha”, tha Konjufca.