Shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj- Bujupi ka përfunduar masën e paraburgimit e cila i ishte caktuar nga gjykata.
Kadaj-Bujupi kishte qëndruar 21 ditë në paraburgim në burgun e Lipjanit ndërkaq pjesën tjetër e ka kaluar në arrest shtëpiak.
E kontaktuar nga Indeksonline, Kadaj-Bujupi ka thënë se pas lirimit të saj nuk ka ndonjë emocion të veçantë duke pasur parasysh krizën politike në vend.
“Po ndihem njëjtë, nuk besoi qe ka njeri që sot ndihet mirë në këtë vend me këtë krizë kaq të thellë politike e morale”, ka thënë Kadaj- Bujupi.
Ajo më pas ka shtuar se do të vazhdoi të ushtroi funksionin e saj si deputete e Kuvendit të Kosovës.
“Unë jam deputete e Kuvendit të Kosovës dhe do të vazhdoi të ushtroi funksionin që kam në përputhje me kushtetutën dhe betimin që kam dhënë”, u shpreh Kadaj-Bujupi, për Indeksonline.
E pyetur se a do ti kishte përsëritur sërish të njëjtat veprime në Kuvendin e Kosovës, ajo ka thënë se është e gatshme për çfarë do që kërkohet nga ta.
“Krejt çka lypet prej nesh jemi të gatshëm me dhanë, para neve njerëzit kanë dhënë shumë më shumë në mbrojtje të atdheut”, tha shefja e GP të AAK-së, Donika Kadaj- Bujupi.
Kadaj- Bujupi ishte arrestuar më 18 nëntor për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.