Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se nuk është fundi i botë nëse Kosova anëtarësohet në UNESCO, duke u zotuar se vendi i tij do ta vazhdojë luftën.
Sipas tij, Beogradi po bën të gjitha përpjekjet e mundshme për të penguar pranimin e Kosovës në këtë organizatë dhe gjatë natës për këtë çështje do të bisedojë me kryeministrin e një vendi nga i cili do të kërkojë përkrahje.
“Sonte në 01:30 kam bisedë, për shkak të ndryshimit të orës, me kryeministrin e një vendi të cilin po e lus për përkrahje. Ata e kanë njohur Kosovën, por tani qeveria e re po i rishqyrton vendimet e qeverisë së kaluar dhe shpresoj se mund t’i bindim. Kjo ju flet mjaft për atë se çfarë përpjekjesh bëjmë dhe sa luftojmë”, deklaroi sot Vuçiç para gazetarëve, transmeton “Kosovapress”.
I pyetur se çfarë pret nga votimi i nesërm për kërkesën e Kosovës për pranim në UNESCO, ai tha se gjasat e Serbisë “nuk janë të mëdha në Këshillin Ekzekutiv, por në Konferencën e Përgjithshme”.