Lajmet e fundit

Dosja sekrete që tregon për krijimin e ISIS-it

I përmbajtur. I sjellshëm. Miklues. Jashtëzakonisht i vëmendshëm. I pandershëm. I padepërtueshëm. I lig. Rebelët në Sirinë e veriut, duke kujtuar takimet muaj më vonë, kujtojnë aspekte krejtësisht të ndryshme të tij. Por bien dakord mbi një gjë: “Ne kurrë nuk e dinim saktësisht, se cilin kishim përballë”.

Në fakt, as ata që e qëlluan dhe e vranë, pas një përleshje të shkurtër me armë në qytetin e Tal Rifatit në një mëngjes janari të vitit të shkuar, nuk e dinin identitetin e vërtetë të njeriut rreth të pesëdhjetave. Ata ishin vetëm në dijeni, se kishin vrarë liderin strategjik të grupit që e quan veten “Shteti Islamik”. Fakti që kjo ndodhi ishte rezultat i një llogaritje të gabuar, të rrallë, por fatale, nga ana e projektuesit të shkëlqyer. Rebelët lokale e vendosën kufomën në një frigorifer, në të cilin ata synonin ta varrosnin. Vetëm më vonë, kur e kuptuan sa i rëndësishëm kishte qenë ai njeri, ata e zhvarrosën trupin.

Samir Abd Muhammad Al-Khlifavi ishte emri i vërtetë i irakianit, por askush nuk e njihte me këtë emër. Edhe pseudonimi i tij më i njohur, Haxhi Bekri, nuk ishte i njohur gjerësisht. Por kjo ishte pikërisht pjesë e planit. Ish-koloneli në shërbimin e inteligjencës së forcave ajrore të mbrojtjes të Sadam Hyseinit, tërhoqi në fshehtësi fijet tek ISIS-i, për vite me rradhë.

Ish-anëtarët e grupit e patën përmendur në mënyrë të përsëritur si një nga figurat e tij kryesore. Megjithatë, nuk ishte e qartë se cili ishte saktësisht roli i tij. Por kur arkitekti i Shtetit Islamik vdiq, ai la pas diçka që kishte për qëllim ta mbante rreptësisht të fshehtë: projektin për këtë shtet. Kjo është një dosje e plotë e shkruar me dorë nga listat organizative, rekruktimet, shantazhi, vrasjet, të cilat përshkruajnë si një vend mund të nënshtrohet gradualisht.

Master Plani

Ajo çfarë Bekri shkroi në letër, faqe për faqe, me shpjegime plotësuese të përshkruara me kujdes për përgjegjësitë individuale, nuk ishte asgjë më pak sesa një projekt pushtimi. Nuk ishte aspak një manifest i besimit, por një plan teknikisht i saktë për një “Shtet të Inteligjencës Islamike” – një kalifat të drejtuar nga një organizatë, që i ngjante agjensisë famëkeqe të Gjermanisë Lindore, STASI.

Projekti u realizua me një saktësi të habitshme, në muajt që pasuan. Plani do të fillonte gjithmonë me të njëjtat detaje: Grupi rekrutoi militantët nën pretekstin e hapjes së një zyre “Davah”, një qendër misionare islame. Prej atyre që vinin për të dëgjuar ligjëratat dhe ndoqën kurse mbi “Jetën Islamike”, një ose dy burra përzgjidheshin dhe udhëzoheshin për të spiunuar në fshatin e tyre dhe marrë një sasi të gjerë informacioni. Për këtë qëllim, Haxhi Bekri përpiloi listën me prioritetet në vijim:

– Lista e familjeve të fuqishme.

– Emrat e individëve të fuqishëm në këto familje.

– Gjetja e burimeve të të ardhurave të tyre

– Emri dhe madhësia e brigadave rebele në fshat.

– Zbulimin i emrave të udhëheqësve të këtyre njësiteve, dhe orientimi i tyre politik.

– Zbulimi i aktiviteteve të tyre të jashtëligjshme (sipas ligjit të Sheriatit), të cilat mund të përdoren për shantazh, në rast se gjykohet e nevojshme.

Spiunët u këshilluan të vinin re detaje të tilla, si p.sh nëse dikush ishte kriminel apo homoseksual, ose ishte i përfshirë në një aferë të fshehtë, në mënyrë që ta përdorte këtë material për ta shantazhuar më vonë. “Ne do të emërojmë më të zgjuarit si Sheikët e Sheriatit. Do t’i trajnojmë ata për një farë kohe, dhe pastaj do t’i shpërndajmë në terren” – shkruante Bekri. Si një poshtëshënim, ai kishte shtuar se disa “vëllezër” do të përzgjidhen në çdo qytet, që të martohen me bijat e familjeve më me ndikim, në mënyrë që të “sigurohet depërtimi tek këto familje, pa dijeninë e tyre”.

Spiunët duhej të zbulonin sa më shumë që të ishte e mundur, mbi qytetet që ishin vënë në shenjestër për t’u pushtuar: Kush jetonte atje, kush drejtonte, cilat familjet ishin fetare, cilave shkolla islamike të jurisprudencës fetare u përkisnin, sa xhami kishte, kush ishin imamët, sa gra dhe fëmijë kishin këta të fundit, dhe çfarë moshe.

Detaje të tjera përfshinin zbulimin e përmbajtjes së predikimeve të imamëve, nëse ishin më të hapur ndaj Sufizmit, apo variantit mistik të Islamit, në rast se ishin të reshtuar me opozitën apo me regjimin, dhe për më tepër cili ishte qëndrimi i tyre ndaj Xhihadit. Bekri gjithashtu donte përgjigje për pyetjet si: A marrin imamët rrogë mujore? Nëse po, kush i paguan ata? Kush i emëron? Dhe e fundit: Sa njerëz në fshat, janë kampionë të demokracisë?

Ishte menduar që agjentët të vepronin ngjashëm me përhapjen e valëve sizmike, të dërguar për të nuhatur të çarat më të vogla, si edhe gabimet e brezit të vjetër, brenda shtresave të thella të shoqërisë. Me pak fjalë, çdo informacion që mund të përdoret për të përçarë dhe nënshtruar popullsinë lokale.

Informatorët përfshinin ish-spiunë të inteligjencës, por edhe kundërshtarë të regjimit, që ishin rreshtuar me një nga grupet rebele. Ndërkaq disa ishin edhe të rinj dhe adoleshentë, të cilëve u nevojiteshin para apo thjesht gjetja e një pune interesante. Shumica e njerëzve në listën e informatorëve të Bekrit, si ata nga Tal Rifat, ishin në fillim të të njëzetave, por disa ishin edhe 16 apo 17 vjeç. Plani përfshinte gjithashtu fusha si financat, shkollat, çerdhet, media dhe transporti. Por ka disa çështje kyçe, të cilat janë trajtuar me skrupolozitet të madh në këtë projekt: survejimi, spiunazhi, vrasjet dhe rrëmbimet.

Për çdo këshill krahinor, Bekri kishte vendosur mbi krye një emir, apo komandant, që ishte i ngarkuar me vrasje, rrëmbime, drejtimin e skuadrës së snajperave, komunikimin dhe dekriptimin, si dhe një emir që mbikëqyrte emirët e tjerë, “në rast se ata nuk e bënin mirë punën e tyre”. Bërthama e këtij Shteti të Zotit, do të ishte në fakt një kurdisje djallëzore e një celule të projektuar për të përhapur terror.

Nga fillimi, plani ishte që shërbimet inteligjente të vepronin paralelisht, edhe në nivel rajonesh. Një departament i përgjithshëm i inteligjencës, i raportonte një “emiri të sigurisë” për një rajon ku ishin caktuar disa zëvendës-emirë për diskriktet e veçanta. Drejtuesi i një celule të fshehtë spiune, dhe një “shërbim i inteligjencës dhe menaxhues i informacionit” për distriktin, u raportonin secilit prej këtyre zëvendës-emirëve. Qëllimi ishte që të gjithë të mbanin nën vëzhgim njëri-tjetrin.

Fillimet në Irak

Dukej sikur Xhorxh Oruelli kishte qenë modeli për këtë mbikëqyrje paranojake. Por ishte shumë më e thjeshtë se kaq. Bekri përshtati atë që kishte mësuar në të kaluarën: aparati i gjithëpranishëm i sigurimit i Sadam Hyseinit, ku askush, madje as gjeneralë në shërbimin e inteligjencës, nuk mund të ishin të sigurtë se po spiunoheshin. Ka një arsye të thjeshtë se pse në shkrimet e Bekrit nuk përmenden profecitë, që kanë të bëjnë me krijimin e një Shteti Islamik, gjoja të shuguruar nga Allahu: Ai besonte se bindjet fetare fanatike nuk ishin të mjaftueshme për të arritur fitoren. Por ishte i bindur se besimi i të tjerëve mund të shfrytëzohej në këtë drejtim.

Në vitin 2010, Bekri dhe një grup i vogël i ish-oficerëve të zbulimit irakian, caktuan Ebu Bekr Al-Bagdadin, emir dhe më vonë “Kalif”, si udhëheqës zyrtar i ISIS-it. Ata arsyetuan se Bagdadi, si një klerik i arsimuar, do t’i jepte grupimit një ngjyrim fetar. Bekri ishte “një nacionalist, jo një islamik”, thotë gazetari irakian Hisham Al-Hashimi. “Kolonel Samiri” – vazhdon më tej Hashimi “ishte shumë inteligjent, i fortë dhe me një përgatitje të shkëlqyer”.

Por, kur amerikani Pol Bremer, atëherë guvernator i Irakut të pushtuar, “i shkriu forcat e armatosura irakiane, përmes një dekreti në maj vitit 2003, koloneli mbeti i papunë”. Mijëra oficerëve sunitë të mirëtrajnuar iu shkatërrua karriera dhe jeta, me një të rënë të lapsit. Duke vepruar kështu, Amerika krijoi armiqtë e saj më të rreptë dhe njëherazi më inteligjentët. Shumë shpejt, Bekri kaloi në ilegalitet dhe u takua me Abu Musab al-Zarkavin në provincën Anbar në perëndim të Irakut. Zarkavi, një jordanez me origjinë, kishte drejtuar më herët një kamp trajnimi për terroristët e huaj në Afganistan. Duke filluar nga viti 2003, ai fitoi famë botërore si organizatori i sulmeve kundër Kombeve të Bashkuara, trupave të SHBA-së dhe myslimanëve shiitë. Ai ishte madje shumë më radikal sesa ish-udhëheqësi i Al-Kaidës, Osama bin Laden. Zarkavi vdiq gjatë një sulm ajror amerikan në vitin 2006.

Edhe pse Partia Baath dominante në Irak ishte laike, të dy sistemet në fund të fundit kishin të përbashkët bindjen se kontrolli mbi masat duhet të jetë në duart e një elite të vogël, që nuk duhet të jetë llogarridhënëse ndaj askujt – pasi ajo sundon në emër të një plani të madh, të legjitimuar si nga Zoti, ashtu edhe lavdia e historisë arabe. Sekreti i suksesit të ISIS-it qëndron në “kombinimin e të kundërtave, besimit fanatik të një grupi dhe llogaritjeve strategjike të tjetrit”.

Bekri u bë gradualisht një nga udhëheqësit ushtarakë në Irak, ndërsa në vitet 2006-2008 u mbajt i burgosur në burgun Abu Ghraib të ushtrisë amerikane. Ai i mbijetoi valës së arrestimeve dhe ekzekutimeve nga njësitë speciale amerikane dhe irakiane, të cilat kërcënuan vetë ekzistencën e organizatës pararendëse të Shtetit Islamik, në vitin 2010 në Irak.

Për Bekrin dhe një numër ish-oficerësh të rangut të lartë, kjo krijoi një rast për të rrëmbyer pushtetin nga një rreth i vogël xhihadistësh. Ata e shfrytëzuar kohën që ishin në burg, për të krijuar një rrjet të madh kontaktesh. Por, drejtuesit më të lartë e njihnin tashmë njëri-tjetrin prej një kohë të gjatë. Haxhi Bekri dhe një oficer tjetër ishin pjesë e njësisë së vogël sekrete të shërbimit inteligjent të forcave ajrore. Dy udhëheqësit e tjerë të ISIS-it, vinin nga një komunitet i vogël sunit turkmenësh në qytetin e Tal Afarit. Një prej tyre ishte gjithashtu një oficer i rangut të lartë të inteligjencës.

Në vitin 2010, ideja e përpjekjes për të mposhtur ushtarakisht forcat qeveritare të Irakut, dukej e kotë. Por një organizatë e fuqishme mori formë, përmes akteve të terrorit. Kur kryengritja kundër diktaturës së Bashar al Asadit shpërtheu në Sirinë fqinje, liderët e organizatës e ndjenë se e kishin një mundësi të artë. Nga fundi i vitit 2012, veçanërisht në veri, forcat dikur të gjithëfuqishme qeveritare ishin mposhtur dhe dëbuar. Në vend të tyre, kishte tanimë qindra këshilla lokale dhe brigada rebele, pjesë e një përzierje anarkike, që askush nuk mund t’u gjente rrënjët.

Zbatimi i planit

Zgjerimi i ISIS filloi një vit më pas, ndërsa shumë sirianë u kujtuan të mendonin për këtë, vetëm kur xhihadistët ishin shfaqur mes tyre. Zyrat e “Davah”, që u çelën në shumë qytete në veri të Sirisë në pranverën e vitit 2013, u dukën si zyra misionare, jo shumë të ndryshme nga zyrat humanitare që islamikët kanë hapur në mbarë botën. Kur një zyrë e tillë u hap në Raqqa, “të gjithë thanë se ishin “vëllezër”, dhe kurrë nuk u tha ndonjë fjalë për “Shtetin Islamik”, kujton një mjek, i cili u largua më pas nga qyteti.

Zyra të ngjashme u hapën në shumë zona të Sirisë. Në qytetet ku pati shumë rezistencë ose ku nuk ishin në gjendje për të siguruar përkrahësit të mjaftueshëm, ISIS-i zgjodhi të tërhiqet përkohësisht. Në fillim, mënyra e tij e veprimit ishte zgjerimi, por pa rrezikuar një rezistencë të hapur, ndërsa rrëmbente apo vriste “individët armiqësorë”, duke mohuar çdo përfshirje në këtë aktivitet të fëlliqur.

Udhëheqësit zgjodhën opsionin më të komplikuar: Ata vendosën të mbledhin së bashku të gjithë radikalët e huaj, që kishin qenë në rajon që prej verës së vitit 2012. Studentë nga Arabia Saudite, punonjës zyrash nga Tunizia, dhe të rinj që kishin braktisur shkollën nga Evropa, pa asnjë përvojë ushtarake, duhej të formonin një ushtri pas një stërvitje të drejtuar nga çeçenët dhe uzbekët. Më pas do të vendoseshin në Siri, nën komandën e Irakut.

Tashmë në fund të vitit 2012, kampet e trajnimit ushtarak, ishin ngritur në disa vende. Fillimisht, askush nuk e dinte se kujt i përkisnin ato grupe. Kampet u organizuan në mënyrë rigoroze, njerëzit erdhën nga vende të shumta të botës, dhe nuk flisin me gazetarët. Shumë pak prej tyre ishin nga Iraku. Të ardhurit iu nënshtruan dy muaj trajnimi dhe u udhëzuan të jenë të bindur, pa kushte, ndaj komandës qendrore.

Ky proces s’binte në sy dhe gjithashtu kishte një avantazh tjetër: edhe pse ishte domosdoshmërisht kaotike në fillim, ajo që u prodhua në fund ishin trupa absolutisht besnike. Të huajt nuk njihnin askënd tjetër përveç shokëve të tyre, nuk kishin asnjë arsye për të treguar mëshirë, dhe do të mund të shpërndaheshin në shumë vende të ndryshme.

Kjo ishte në kontrast të plotë me rebelët sirianë, të cilët ishin të fokusuar kryesisht në mbrojtjen e shtëpive të tyre, duhej të kujdesesin edhe për familjet, duke i ndihmuar në procesin e të korrave. Në vjeshtën e vitit 2013, në rregjistrat e ISIS-it, ishin shënuar emrat e 2.650 luftëtarëve të huaj, vetëm në provincën e Alepos. Tunizianët përfaqësonin një të tretën e totalit, të ndjekur nga sauditët, turqit, egjiptianët dhe në numër më të pakët, çeçenët, evropianët dhe indonezianët.

Më vonë, kuadrot xhihadiste ishin në një numër shumë të më madh nga rebelët sirianë. Edhe pse rebelët nuk u besonin xhihadistëve, ata nuk i bashkuan forcat për të sfiduar ISIS-in, pasi nuk deshën të rrezikonin hapjen e një fronti të dytë. Shteti Islamik e rriti pushtetin e vet me një truk të thjeshtë: Burrat gjithmonë u shfaqën të veshur me maska të zeza, çka bëri që ata jo vetëm të duken të tmerrshëm, por gjithashtu askush nuk mund të dinte se sa ishte numri i tyre i saktë.

Kur grupe me nga 200 luftëtarë secili, shfaqen në pesë vende të ndryshme njëri pas pas tjetrit, a nuk duket sikur janë 1 mijë luftëtarë? Apo 500? Apo vetëm pak më shumë se 200? Përveç kësaj, spiunët gjithashtu bënë që udhëheqja e Shtetit Islamik, të ishte vazhdimisht e informuar se ku popullsia ishte i dobët apo e përçarë, apo ku kishte patur ndonjë konflikt lokal, duke i mundësuar kësisoj ISIS-it të ofronte veten, si një fuqi mbrojtëse për të fituar terren./Marre me shkurtime nga “Der Spiegel”. /Bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published.